Kukësi gjunjëzon Partizanin, Egnatia triumfon në Ballsh
Abissnet Superiore, Java 23:
Kukësi – Partizani 1-0 (Gj. Taipi 22′)
Bylis – Egnatia 2-3 (Lajthia 47′, Trumci 86’/ Xhekson 54′ pen, Duamena 63′, Atanda 84′)
Kukësi rikthehet te fitorja, ndërsa Egnatia përmbys në Ballsh. Kështu nis kjo javë e 23-të e Abissnet Superiore me dy sfida mjaft të luftuara dhe interesante për llogaritë e klasifikimit.
Verilindorët siguruan 3 pikë falë supergolit të Gjelbrim Taipit në minutën e 22′-të të sfidës. Nuk munguan mundësitë as për të kuqtë e Partizanit, por rrjeta e Tafas mbeti e paprekur deri në fund.
Partizani ndalet pas dy fitoresh radhazi dhe mbetet i dyti me 37 pikë, ndërsa Kukësi mbërrin në kuotën e 28 pikëve në vendin e tetë.
Sakaq, paralelisht në Ballsh u zhvillua një lojë mjaft e bukur ku u regjistruan 5 gola dhe 1 karton i kuq. Rrogozhinasit fituan me përmbysje në shifrat 2-3 me gjithçka që u vendos në fraksionin e dytë të sfidës.
Ishin ballshiotët që gjetën të parët golin me Lajthinë, ndërsa Xhekson do të rikthente baraspeshën me një penallti të dhuruar nga Damçevski që la fushën e lojës pas kartonit të dytë të verdhë.
Minutat e mbetura u diktuan nga miqtë të cilët do të depërtonin edhe 2 herë në rrjetën e Teqjas me Duamenën dhe Atandën, ndërsa në fund Trumci do të rizgjojë shpresat e ballshiotëve me një gol që vlen vetëm për statistikë.
Pas kësaj përballjeje, Egnatia renditet e katërta me 34 pikë, ndërsa Bylis pozicionohet i nënti me 26 pikë.
Abissnet Superiore, java e 23-të:
Bylis- Egnatia 2-3
Kukësi- Partizani 1-0
16:00
Erzeni- Laçi (në Durrës)
Të shtunën:
Tirana- Teuta
Vllaznia- Kastrioti/Sportiim.al/