Shuhet Gogunja, Duka: Ishte ikonë e portës…
Ish-portieri i Elbasanit kampion në 1984, Bujar Gogunja, ka ndërruar jetë sot në moshën 65-vjeçare. Për këtë humbje të madhe ka patur reagime të shumta nga njerëz të sportit por dhe politikës.
Reagimi i Presidentit të FSHF-së Armand Duka:
“Të dashur miq të familjes sonë të madhe të futbollit, Pak minuta më parë mora lajmin e trishtë se miku im i mirë Bujar Gogunja, portieri i madh i Elbasanit të viteve ‘80-të, njeriu i mençur e fjalëpak, u nda nga jeta pas një beteje me një sëmundje të rëndë. Ish-portieri i Labinotit kampion të sezonit 1983-1984 ishte pjesë e atij brezi të artë të futbollit elbasanas që sollën emocione të mëdha në gjithë futbollin shqiptar.
Bujari, ishte një ikonë e portës dhe do të kujtohet gjithmonë për rekordin e tij prej 1037 minutash pa pësuar gol. Ai mbeti një frymëzim për brezat e rinj dhe kontribuoi për qytetin e tij edhe si trajner portierësh te Elbasani kampion i sezonit 2005-2006.
Në këtë moment të vështirë për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mija më të ndjera për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Kujtimet që na ka lënë, do të jenë gjithmonë të paharruara.Prehu në paqe Bujar, do na mungosh të gjithëve”,shkruan Duka