Klasikja pa gola, Egnatia e katërta…
Abissnet Superiore, Java 12:
Vllaznia – Tirana 0-0
Egnatia – Laçi 2-0 (Agbekpornu 63′, Fernando 90+4′)
Kastrioti – Kukësi 1-1 (S. Selmani 47′, Stojanoviç AG 90′)
Kategoria e Parë, java e 10-të:
Flamurtari- Burreli 1-0 (Iakoveli 30′)
Befasi dhe gola me pakicë. Kështu nisi java e 12-të e Abissnet Superiore me vetëm 3 sfida të zhvilluara ditën e sotme.
Në “Selman Stermasi” klasikja prodhoi spektakël dhe rastet, por jo gola. Vllaznia – Tirana u mbyll në barazim 0-0 me të dyja skuadrat që shpërdoruan shumë para portave respektive duke ndarë nga 1 pikë mes tyre.
Ky barazim e lë Tiranën të kryesojë me 22 pikë, 3 më pak se Partizani që ende nuk ka luajtur, ndërsa shkodranët mbajnë aktualisht vendin e tretë me 19 pikë.
Sakaq, në Rrogozhinë u zhvillua po ashtu një sfidë mjaft interesante mes Egnatias dhe Laçit, ku ndryshe nga klasikja nuk munguan golat. Shpëtim Duro ia doli të triumfonte ndaj ish-skuadrës së tij falë golave të Agbekpornu dhe Fernando.
Për kurbinasit, si të mos mjaftonte disavantazhi, u shtua edhe 1 karton i kuq për kapitenin Mazrekaj i cili do të mungojë ndeshjen e ardhshme ndaj Bylisit.
Kjo është hera e dytë që Egnatia mund Laçin këtë sezon duke i pozicionuar bardhezinjtë në vendin e shtatë në klasifikim ndërsa vetë ngjiten në të katërtin me 18 pikë.
Për Kastriotin dhe Kukësin vetëm 1 barazim. Verilindorët zhgënjejnë sërish teksa arrijnë të sigurojnë 1 pikë thuajse në fund të takimit.
Ishte Santiago Selmani që kaloi në avantazh krutanët në minutën e 47′-të, por Stojanoviç gaboi duke shënuar një autogol në fund të takimit dhe duke i dhuruar 1 pikë skuadrës së Kukësit.
Ndërkohë u luajt e vetmja ndeshje e Kategorisë së Parë mes Flamurtarit dhe Burrelit. Vlonjatët fituan 1-0 duke u rikthyer në krye të tabelës së klasifikimit me 21 pikë. Po aq sa Dinamo./Sara Gjidiaj/