Bastet/ Akuza të reja për Tonalin, Njukasëll i del në ‘krah’
Mesfushori italian i Njukasëll, Sandro Tonali është goditur me akuza të reja në lidhje me shkeljet e supozuara të rregullave të basteve, ka njoftuar Federata e Futbollit.
Thuhet se Tonali ka vënë baste në ndeshjet e futbollit 50 herë në periudhën midis 12 gushtit dhe 12 tetorit 2023, duke shkelur kështu Rregullin E8 të FA.
Datat e treguara nuk janë të rastësishme. 12 gushti shënon fillimin e sezonit të Premierligës, ndërsa 12 tetori është dita në të cilën Tonali, së bashku me Nikolo Zaniolon, u detyruan të largoheshin nga kampi i kombëtares pas thashethemeve për përfshirje të dyshuara në botën e basteve, në kuadër të rastit Faxholi.
Tashmë pas dënimit nga Federata Italiane e Futbollit, Tonali ishte nën vëzhgim edhe nga Federata e Futbollit duke hapur zyrtarisht një hetim.
Deklarata e FA:
Deklarata e Federatës së Futbollit: “Sandro Tonali është akuzuar për sjellje të pahijshme në lidhje me shkeljet e supozuara të rregullave të basteve të FA. Mesfushori i Newcastle United pretendohet se ka shkelur rregullin E8 të FA 50 herë duke vendosur baste në ndeshjet e futbollit midis 12 gushtit 2023 dhe 12 tetorit 2023. Sandro Tonali ka kohë deri më 5 prill 2024 për t’u përgjigjur.”
Komunikata e Njukasëll:
Klubi i italianit u përgjigj kështu: “Newcastle United është vënë në dijeni për një akuzë për sjellje të pahijshme të marrë nga Sandro Tonali në lidhje me shkeljet e supozuara të rregullave të basteve të FA. Sandro vazhdon të mbështesë plotësisht hetimet përkatëse dhe ruan mbështetjen e plotë të klubit. Për shkak të gjykimit në vazhdim, Sandro dhe Newcastle United nuk janë në gjendje të ofrojnë komente të mëtejshme për momentin”.