Luan në Tiranë, Daja para Plzen: Ballkani do tri pikë dhe…mbështetje

Nesër e enjte Ballkani pritës në “Air Albania” për sfidën numër 5 në Grupin E, (Conference League) me Viktoria Plzen. Ilir Daja tekniku tiranas i kampionëve të Kosovës teksa e ka stërvitur prej dy ditsh ekipin në Arbanë dhe në shtëpinë e Futbollit në Tiranë, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp për t’u përgjigjur lidhur me objektivët e këtij takimi me çekët.

Daja:

Si ndiheni para këtij takimi në “Air Albania”?
Rikthehemi në stadiumin emblemë të të gjithë shqiptarëve. Kemi kaluar shumë mirë ehe në stadiumin “Fadil Vokrri’, por për shkak të kushteve atmosferike vijmë të luajmë në këtë stadium. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze ndaj çekëve të Viktoria Plzen.

A është skuadra gati për sfidën e të enjtes?
Kemi mungesa, por jemi të motivuar maksimalisht, pasi e dimë rëndësinë e ndeshjes. Përballemi me kryesuesen e grupit, që ka fituar të gjithë takimet deri tani. Nëse nesër do të kemi edhe mbështetjen e publikut, do të jemi edhe më të motivuar. Sa i përket organikës, na mungon Hamidi i pezulluar dhe Tolaj, që është i dëmtuar, por rikthehet Berisha. Megjithatë mendoj se çdo futbollist, në një stadium të tillë, do të dijë të marrë ndeshjen me qetësi dhe të japë maksimumin. Kundërshtari ka tranzicion pozitiv shumë të mirë dhe nëse u lë hapësira, të ndëshkojnë.

Sa mund t’ju ndihmojë fakti që Plzen vjen e kualifikuar?
Fakti që ata janë të kualifikuar, ka të dy anët e medaljes, pasi nuk do të ketë motivimin maksimal dhe mund të bëjë rotacion, por nga ana tjetër ata janë profesionistë dhe nuk do të nënvlerësojmë. Ne luajmë në Shqipëri dhe besoj se do ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë, pasi jemi në shtëpinë tonë. Shumë lojtarë nuk e kanë shkelur ndonjëherë këtë terren dhe ky do të jetë një minus për ne, por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme.

A do të jetë i kënaqur Ballkani nëse merr vetëm një pikë?
Që të jemi me këmbë në tokë, edhe deri këtu ku kemi ardhur, kemi bërë një arritje të madhe për Ballkanin, por edhe futbollin e Kosovës. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të duam tre tregojmë anën tonë më të mirë.

A jeni i kënaqur me përfaqësimin në fazën e grupeve, apo keni ëndërr të avanconi edhe më tej?
Kalimi në fazën e grupeve nuk është i përhershëm për skuadrat shqiptare, por është arritje historike. Ne të gjithë bashkë do të tentojmë të bëjmë një tjetër arritje, por e dimë që do të jetë tmerrësisht e vështirë. Përveç ndeshjes me Viktoria Plzen, na pret edhe një transfertë shumë e vështirë në Zagreb ndaj Dinamos. Megjithatë do të provojmë të bëjmë një tjetër hap historik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!