Eleminimi/ Partizani fitues i pjesës parë nuk mjafton

Të kuqtë rrëzohen në Play Off, duke u larguar nga kompeticioni i UEFA-as kokëlartë.Rrisin buxhetin dhe koeficentin në ranglistë
Partizani shumë pranë ëndrrës së kalimit në grupet e Conference League. Sot në ‘Elbasan Arena’ të kuqtë barazuan me Astana në “Elbasan Arena” në të kthimit të Conference League 1-1 duke mbyllur këtu rrugëtimin europian.
Vendasit e nisën vrullshëm, shumë ndryshe nga takimi i kaluar, duke dominuar plotësisht ndaj kazakëve. Golin e solli Bintsuka me fanellën e titullarit në këtë përballje kur luhej minuta e 25′-të.
Pafund raste të shpërdoruara nga kampionët e Shqipërisë, paraqitje dinjitoze dhe një pjesë e parë e mbyllur në avantazh, krijuan iluzionin se Partizani ishte shumë pranë kualifikimit, por menjëherë pas nisjes së fraksionit të dytë miqtë surprizuan.
Në minutën e 46′-të Marin Tomasov gjeti rrjetën e Qirkos me kokë duke rikthyer ekipin e tij në avantazh të rezultatit të përgjithshëm.
Bie dukshëm ritmi dhe entuziasmi i të kuqve në minutat e mbetura me ekipin e Zekiç që ndizet vetëm në fund por nuk ia del të shënojë sërish.
Partizani e mbyll në “play-off” aventurën europiane, ashtu si dhe Struga e Shpëtim Duros që u eleminua nga Breidablik, por Ballkani nuk i ndahet grupeve për të dytin vit radhazi.
Skuadra e Ilir Dajës ishte me një këmbë në fazën tjetër që pas fitores 4-1 javën e kaluar dhe pavarësisht humbjes minimale në këtë ndeshje kthimi, suharekasit kanë tashmë një biletë që i dërgon në grupet e Conference League.
Conference League, play-off:
Partizani – Astana 1-1 (Bintsuka 25’/ Tomasov 46′) (1-2 i pergjithëshëm)
BATE Borisov – Ballkani 1-0 (2-4)
Breidablik – Struga 1-0 (2-0) Pergatiti:Sara Gjidiaj