Analiza/ Rrugëtimi i pritshëm i skuadrave shqiptare në Europë

Nga: Isuf Myrtaj

  • Egnatia skuadra favorite për të kaluar turin, Vllaznia në Belfastin e “dënimit të Skënderbeut”

Duke nisur nga 11 korriku, skuadrat shqiptare të Abissnet Superiore; Partizani, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia do të nisin aventurën e radhës në turet e para të Champions dhe Conference League 2023/2024.

Partizani do të luajë në Champions ndaj BATE Borisov një emër i madh i futbollit bjellorus. Fillimisht në Shqipëri (në ‘Air Albania Stadium’) ndërsa të kthimit në Hungari pa tifozë (Bjellorusia dhe klubet e tyre të ndëshkuara nga UEFA për shkak të mbështetjes ruse në okupimin ushtarak në Ukrainë).

Ndërkohë kampionët e Shqipërisë nëse kalojnë BATE-n, në turin e dytë janë shortuar me Aris Limasol (Qipro) më 25 ose 26 korrik 2023.

Në fakt kampionati bjellorus ka luajtur deri tani 11 javë dhe rivali i Partizanit nuk po kalon një moment të mirë. Në 6 takimet e fundit, Kupë, kampionat, BATE Borisov numëron tri humbje dhe tri barazime. E fundit humbja me Slutsk 1-0.

Tirana, Egnatia dhe Vllaznia po bëhën gati për sfidat e tyre në turin e parë në Conference League.

Tirana po stërvitet në Ohër dhe në radhë ka ndeshjen delikate me Dinamo Batum të Gjeorgjisë. Bardheblutë me një merkato cilësore (ende aktive), shpresojnë të kalojnë kampionët dhe kryesuesit e ‘Erovnuli Liga’ të cilët vijojnë të dominojnë në kampionat si kryesues në 19 javë. Fitorja e fundit pikërisht ndaj rivalit Saburtalo 2-1 (rivali i vjetshëm i Partizanit në Conference League).

Debuton në Conference League Egnatia e Rrogozhinës. Në këtë tur, skuadra shqiptare do përballet me armenët e Ararat-Armenia me sfidën e parë në transfertë (13 korrik) dhe të kthimit në Shqipëri më 20 korrik.

Vllaznia: Mbrojtësit Juriç e Hakaj, mesfushorët Boshnjaku dhe Mala, si edhe sulmuesi Bekim Balaj janë të vetmit që mbijetuan nga skuadra e sezonit të shkuar. Megjithatë, afrimet e deritanishme por dhe ato që pritet të vijnë te Vllaznia, japin idenë e grupit serioz. Në Europë, ndeshën me irlandezo- veriorët e Linfild.

Kush mund të kalojë?

Priten duele ku skuadrat shqiptare më së shumti nuk nisen si favorite. Megjithatë, duket se Egnatia është e vetmja skuadër e cila shihet se mund të dalë në përballjen e dyfishtë me armenët. Këta të fundit janë një skuadër relativisht e re e themeluar në vitin 2017.

Shanse i shfaqen dhe Partizanit. Gjendja jo e mirë e Bates në kampionat por dhe fakti që luan si pritëse jashtë Bjellorusisë, për më tepër pa tifozë dërgojnë ‘ujë’ te Partizani.

Tirana dhe Vllaznia janë tërësisht në zonën jashtë parashikimëve. Kryesisht bardheblutë pasi ndeshen me një ekip në gjendje të mirë e me buxhet të lartë. Nga ana e saj Vllaznia luan me një skuadër eksperte të Iralndës së Veriut. Veçse në Belfast kujtimet e së shkuarës në takimet kontinentale ofrojnë dhe çudira sportive.

Skënderbeu humbi në Belfast ndaj Krusaders (në 2015) me rezultatin 3-2 (4-6 i përgjithshëm për korçarët), por më pas portieri i tyre dha deklarata që shkuan më tej si ndihmesë në përjashtimin e Skënderbeut për 10 vite nga UEFA…

Shorti i skuadrave Abissnet Superiore në UEFA Champions dhe Conference League, turi i parë.

Champions League

Partizani-BATE Borisov

Conference League

Tirana – Dinamo Batum

Ararat-Armenia – Egnatia

Linfild Belfast – Vllaznia

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!