Superiore/ Adrenalina në majë, sot dy finale…nervash

E 31-ta e Abissnet Superiore do të startojë sot. Fillimisht në stadiumin “Adush Muça” me duelin epik Bylis- Laçi (15:00) ndërsa në 18:00 në “Niko Dovana” të Durësit takimi Erzeni- Partizani.

Java kompletohet të dielën teksa në radhë takimet: Kukësi- Teuta, Tirana- Kastrioti dhe Vllaznia- Egnatia.

Bylis- Laçi (15:00)

‘Finale’. Për skuadrën e Naxhi Shensoit rruga e vetme për të tentuar qëndrimin në elitë, mbetet fitorja. Kushtëzuar nga pikët (33, vendi i 9-të) dhe rezultatet në disfavor që mund të vijnë nga Kukësi (Kukësi- Teuta) apo Durrësi (Erzeni-Partizani) mallakastriotët e plotë në emra, sot, do duhet të triumfojnë ndaj bardhezinjëve të Stavri Nicës.

Nga ana e tyre laçianët janë në siklet për europën. Vetëm fitorja i mban gjallë shpresat e tyre për të përsëritur edicionet e fundit e justifikuar sezonin. Skuadra ka moral të lartë pasi në tri takimet e fundit ka marrë 2 fitore dhe një barazim. Rritja progresive e lojës me Guindo (me statusin e ishit sot), Shkurtaj, Spahiu, Ujka, klasin e Mazrekajt, japin garanci për një mbyllje pozitive sezonale të nënkampionëve në fuqi.

Erzeni-Partizani (18:00)

Edhe kjo përballje i ngjason finaleve të shumta. Shihni zbehjen e shijakasëve në 5 javët e fundit (3 humbje 2 barazime, 38 pikë) por dhe lëkundjet e Partizanit në betejen për titullin.

Në fakt, Erzeni ka vuajtur për disa kohë mungesa titullarësh ardhur kryesisht nga dëmtimet për t’u pasqyruar në rendimentin e pikëve. Sot sërish i arnuar pasi si kapiteni Krasniqi ashtu dhe mbrojtësi i majtë Ardit Peposhi janë të pezulluar nga kartonët.

Për skuadrën e Kolelës, e vetmja alternativë për të sfiduar kreun, rezulton fitorja. Në kampin e kuq, pas fitores së fundit ndaj Bylis (2-1) ndihen optimistë se kjo ndeshje do të konvertohet në tri pikë.

Mbi bazën e kontigjentit të plotë, trajneri italian i Partizanit pritet të operojë apo alternojë të tijtë në këtë 90′ minutësh deçiziv. Paçka se dje në konference shtypi e konsideroi rivalin e sotëm mjaft të rrezikshëm. Me Mba e Rrapaj në superformë, çështja “Hoti” (krisje me klubin), kalon në plan të dytë. “Demat” sot në versionin ‘sulmues’.

Abissnet Superiore, java e 31:

Sot:

Bylis- Laçi 15:00

Erzeni- Partizani 18:00 (në Durrës)

Të dielën:

15:00

Kukësi- Teuta

Tirana- Kastrioti (në Elbasan)

18:00

Vllaznia- Egnatia

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!