Kastrioti ndëshkon Laçin me Ajazin, Flamurtari triumfon në Orikum
Diogo Longo debuton me fitore në krye të Flamurtarit.
Abissnet Superiore, Java 27:
Kastrioti – Laçi 2-1 (Mihana 47′, Ajazi 90’+4’/ Guindo 71′)
Kategoria e Parë, Java 21:
Oriku – Flamurtari 0-1 (Pedro Augusto 75′)
Emocionuese beteja e javës së 27-të Abissnet Superiore mes Kastritoti dhe Laçit. Tre pikë që për secilin ekip do të thonin shumë, shkuan për krutanët të cilët mund të shpresojnë akoma.
Një pjesë e parë e luftuar dhe me rivalitet ku frenat e lojës i merrte herë Laçi e herë Kastrioti. Diçka më shumë provuan kurbinasit, por mbrojtja dhe porta e krutanëve mbeti e pathyer.
Menjëherë në startin e 45-minutëshit të dytë, ishin vendasit ata që kaluan në avantazh falë koordinimit mjaft të mirë me kokë të Redon Mihanës.
Pas këtij goli të pësuar, minutat në vazhdim flasin për bardhezinjtë që mbeten rrezikshëm para portës së Salit. Shpërblimi do të vijë në minutën e 71′-të me Guindon që realizon pas një gabimi të mbrojtjes krutane.
Akoma më e ndezur sfida në vijim me të dyja ekipet që shfaqen këmbëngulëse, por do të jenë sërish kurbinasit ata që do të gjejnë golin. Thuajse identik si në rastin e Guindos, Babatunde përfiton nga një tjetër pakujdesi në zonën e krutanëve dhe dërgon topin në rrjetë.
Megjithatë, VAR ndërhyn dhe goli konsiderohet i pavlefshëm për një prekje të topit me dorë, edhe pse gjithçka ishte e kontestueshme.
E çmendur ajo që ndodh menjëherë teksa do të ketë gol në portën e Selmanit. Pas një goditjeje nga këndi, Ajazi bën mrekullinë në shtesë duke vulosur fitoren e krutanëve dhe duke rindezur shpresat e mbijetesës.
Kështu, Kastrioti fiton por mbetet në vendin e fundit në klasifikim me 27 pikë, 2 larg Bylisit. Nga ana tjetër, Laçi mban vendin e tetë me 33 pikë.
Kategoria e Parë
Sakaq, e vetmja sfidë e xhiros së 21-të të Kategorisë së Parë për ditën e sotme ishte mini derbi Oriku – Flamurtari. Mjaftoi një gol i brazilianit Pedro Augusto që vlonjatët të siguronin fitoren duke iu afruar në renditje Skënderbeut udhëheqës./Sara Gjidiaj/