Selmani: Të ulim kokën, i shokuar nga tërmeti në Turqi

Gentian Selmani u rikthye te Laçi pas dy aventurave në Turqi me Menemenspor dhe Boluspor. 24-vjeçari vendosi të riveshë fanellën bardhezi për pjesën e mbetur të këtij sezoni duke kontribuar sërish për klubin ku u konfirmua.

Në një intervistë eksluzive për ‘Sportiim.al’, dhënë pas përfundimit të sfidës Laçi – Egnatia, gardiani i kurbinasve foli rreth eksperiencës në Turqi dhe vendimit për t”u kthyer në Laç.

Gentian Selmani:

Çfarë mendoni se nuk funksionoi në sfidën e sotme?
-Sot ishte një ndeshje e luftuar. Besoj se e nisëm mirë por një moment na zunë të papërgatitur dhe e shfrytëzuan atë mundësi. Ne u munduam ta kthenim lojën, nuk ia arritëm. Duhet të ulim kokën e të shikojmë ndeshjet e tjera.

Si e keni gjetur atmosferën në ekip?
-Në ekip atmosfera ishte e mirë sidomos pas fitoreve. Sot ishte një pakujdesi e jona, duhet të ishim pak më të përgatitur, pak më të vendosur për ta fituar ndeshjen, por duhet të ulim kokën dhe siç e thashë të punojmë për ndeshjet e tjera.

Në lidhje me ngjarjen e ditëve të fundit, tërmetin tragjik që goditi Turqinë, mund të na tregoni përjetimin tuaj ose të miqve tuaj atje? Keni komunikuar me ndonjë në lidhje me situatën?
-Kam shumë miq në Turqi pasi kam luajtur 3 vite e gjysmë atje. Më ka ardhur shumë keq sepse ka patur shumë viktima. Fatmirësisht, miqve të mi nuk i ka ndodhur diçka e keqe por të gjithë kanë përjetuar një gjendje shoku dhe shpresoj ta kalojnë sa më shpejt pavarësisht se është e vështirë.

Si ishin për ju eksperiencat në Turqi me Menemenspor dhe Boluspor dhe pse vendosët të riktheheshit në Laç?
-Ishte një moment në ekipin ku isha që nuk po luaja. Pata disa keqkuptime me ekipin, me trajnerët. Ishte momenti për të ndërruar ekip pasi mendoj se duke luajtur mund të përmirësohesh.

A keni patur oferta nga klube të tjera brenda ose jashtë vendit?
-Merkato ka gjithmonë zëra, oferta, bisedime, po vendosa për në Shqipëri, vensosa për ekipin ku jam rritur. Këtu kam qenë gjithmonë i mirëpritur dhe i falenderoj.

A do të vishnit fanellën e ndonjë klubi tjetër në kampionatin shqiptar?
-Duhej diskutuar këtu në Laç pasi këtu jam rritur siç e thashë. Presidenti më hapi derën dhe unë e mirëprita.

Si do të ndihet Selmani nëse eventualisht do t’i mohojë gola Santiagos ose Adolfit (luajnë me Kastriotin,red), si dhe kur të pësojë nga ata?
-Unë do mundohem të bëj punën time, do mundohem të mos lejoj asnjë të më shënojë dhe të jap gjithçka në fushë. Ne luajmë për ekipe të ndryshme.

A keni diçka për t’ju thënë tifozëve të Laçit?
-Tifozët e Laçit nuk kanë qenë të shumtë në fakt por janë disa që kanë qenë gjithmonë pranë klubit. I falenderoj edhe uroj të jenë edhe më shumë pasi ekipi po tregon rezultate pozitive dhe ka dhënë gjithmonë gjithçka në fushë. Shpresoj që ata të jenë më të shumtë në shkallët e stadiumit.

Intervistoi: Sara Gjidiaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!