U18 Kuqezi humb miqësoren e dytë

Kombëtarja shqiptare U18-të zhvilloi këtë të enjte edhe miqësoren e dytë ndaj Malit të Zi U18, e cila u zhvillua në kompleksin e Federatës Malazeze në Podgoricë. Ky takim u fitua me rezultatin 3-0 nga fqinjët, që këtë herë u treguan më të saktë përpara portës tonë.

Trajneri Ardi Behari vendosi të bëjë një ndryshim në formacionin startues të kësaj sfide të dytë, duke hedhur në fushë këtë 11-she: Klevis Totoshi, Zylyf Muça, Ardit Nuredini, Arlind Kurti, Luis Buzi, Ermal Meta, Arxhei Beluli, Ersi Syla, Oresti Kasmollari, Rinor Dukagjini, Ensar Tafili.

Pjesa e parë e takimit është e balancuar, me dy skuadrat që qarkullojnë topin, teksa rastet për shënim janë të pakta. Në minutën e 33-të, malazezët ia dalin të marrin avantazhin, pas një goditje dënimi perfekte. 45 minutat e para mbyllen nën epërsinë e fqinjëve, 1-0, teksa në fraksionin e dytë të lojës, Mali i Zi realizon edhe dy gola të tjerë, duke vulosur rezultatin në 3-0.

Behari aktivizoi në këtë sfidë të gjithë lojtarët e grumbulluar për këto dy miqësore, një pjesë e të cilëve janë produkt i ekipeve zinxhir të moshave kuqezi, U15, U16 dhe U17, ndërsa pjesa tjetër janë elementë të provuar për herë të parë në ekipet kombëtare.

Takimi i parë i luajtur para dy ditësh në stadiumin ‘Reshit Rusi’ në Shkodër u fitua nga Shqipëria U18 e drejtuar nga trajneri Ardi Behari me rezultatin 2-0.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!