Klop në sfidën e fundit, ‘Anfield’ përgatit magjinë…

Liverpul është duke u përgatitur për t’i dhënë lamtumirën Jurgen Klop. Trajneri gjerman do të luajë ndeshjen e tij të fundit në Anfield si trajner i Reds të dielën ndaj Uolves dhe sigurisht që do të jetë një moment emocionues e magjik.

Sot në konferencën për shtyp gjermani i cili ka fituar gjithëçka që nga tetori 2015 me Liverpul,tha: “Kjo javë ka qenë më intensive e jetës sime, tashmë jam përshëndetur shumë herë këtë javë, nuk dua të pretendoj se është një javë normale sepse nuk është.

Unë jam një person shumë pragmatist. Kjo është ndeshja e fundit e sezonit dhe më pas është pushim, si zakonisht. Dje lojtarët thanë lamtumirë dhe të gjithë bëmë një përqafim së bashku. Kam kaluar shumë kohë këtu dhe padyshim që kam përjetuar momente shumë emocionuese.

Nuk e di sa fanella kam firmosur. Është e gjitha pjesë e kësaj pune. Të thuash lamtumirë nuk është kurrë e këndshme, por të thuash lamtumirë pa u ndier i trishtuar apo i lënduar do të thoshte se periudha nuk ishte e mirë. Megjithatë, koha e kaluar këtu ishte e bukur, do të jetë e vështirë të them lamtumirë”.

Momentet më të mira të kohës suaj në Liverpul?
“Futbolli që luajtëm kundër Mançester Sitit këtë vit ishte më i miri që kemi luajtur ndonjëherë. Luajtëm më mirë se ata atë ditë. Ne kishim fituar më parë, por ato ishin ndeshje të ndryshme. Të kontrolloja një ndeshje të tillë… Ishin 60 minutat e mia të preferuara.

Fitorja më spektakolare? Ajo kundër Barcelonës. Goli më i mirë? Alison Beker kundër Uest Bromuiç. Asistimi më i mirë? Trent Alekander-Arnold kundër Barcelonës. Pritja më e mirë? Alison Beker kundër Napolit. Goli më i mirë me takë? Sadio Mane”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!