Malota, largimi që ‘dhemb’

Nga: Isuf Myrtaj

Realisht në Laç duhet të ndjejnë keqardhje… Jo se skuadra nuk ka dhe nuk do të ketë lojtarë cilësorë por largimi i Reanto Malotës hap një “gropë” të madhe në qëndër të mbrojtjes së skuadrës së Shpëtim Duros.

Në fakt te kurbinasit fluksi i largimëve këtë verë i ngjan një “tornadoje”. E nisi Regi Lushkja në janar e më pas Ardit Deliu, Juljan Shehu. Të tjerë emra spikatës si Ignjatoviç, Zarubica. Me peshë edhe Sherri, Van Dejv Harmon, Zulfiu apo Velija.

Por…

Lezhjani 33 vjeçar e nisi futbollin në qytetin e tij Lezhë ndërsa më pas falë kualitetit të shfaqur, u rrëmbye me zell nga Partizani.

Një edicion (2008-09) e më pas kalimi te Dinamo po në kryeqytet. Pasi fitoi titullin me blutë, kaloi te Kukësi deri në sezonin 2016. Me verilindorët arrin të fitojë Kupën e Shqipërisë. Pikërisht ndaj Laçit (me penallti…)

Aventura e mbyllur me Kukësin shoqëruar me kërkesa të shumëta për shtatlartin. Nuk e lënë “rehat”. Edhe kur ka ndonjë punë te ‘Rana e Hedhun’. Për ta prenotuar e patur në ‘rozë’ në sezonin pasardhës.

Fakti që Malota gjithnjë jepte garanci në prapavijë, bëri që të rikthehej sërish te një klub i madh si Partizani. Këtë radhë, mbajti veshur bluzën e kuqe për dy sezone të tjera të cilët përkojnë me 2016-17 dhe 2017-18.

Megjithatë në momentin e “zgjimit” të Vllaznisë ishte e pamundur që një fqinj të refuzonte ftesën për tu veshur së paku njëherë kuqeblu. Sakaq në 2020 deri sot, një tjetër fqinj, këtë radhë në jug të Lezhës, e kishte pikasur si afrim të rëndësishëm.

Me kurbinasit Renato Malota ndoshta-ndoshta, pati dhe kulmin e pjekurisë sportive. Ndonëse ndonjë rast pati probleme fizike, pas rikthimit në fushë, në ‘duelin’ me Ingnjatoviç, Obanor dhe më vonë me Velkoskin, ai gjeti dhe justifikoi plotësisht vendin e titullarit.

Një futbollist profesionist plot eksperiencë e mbi të gjitha i mbarsur me kulturë dhe respekt ndaj atyre që e rrethuan.

Ndërkaq me kontributin e tij këto dy edicione, Renato Malota gdhendi emrin e tij me bardhezinjtë e presidentit Pashk Laska. Sikundër në të shkuarën lezhjanët e tjerë të famshëm; Leonard Perloshi, Gjergj Filipi, Fehmi Rama (Furdja), Julian Gjeloshi, Valentin Gjetja, Sokol Toma, Hendri Ndreka, Ilir Keqi etj.

Postimi i Malotës sot:

“Përshëndetje të gjithëve! Nga sot nuk jam më pjesë e Laçit pasi marrëveshja ime ka qenë të luaja në kupat e Europës dhe pse kontrata ime kishte përfunduar në fund të majit.
Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme si për mua ashtu edhe për Laçin pasi si asnjëherë tjetër dy vitet e fundit luftuam për titullin kampion dhe gjithashtu duke bërë histori e kaluar disa ture për 3 vjet që isha pjesë e Laçit.
Jam munduar gjithmonë të jap më të mirën si brenda fushës ashtu dhe jashtë saj çka mendoj që e kam realizuar këtë gjë.
Dua të falënderoj shokët e ekipit, trajnerë që kam punuar aty dhe veçanërisht presidentin e ekipit për respektin dhe korrektësinë që la treguar ndaj meje.
Në fund dhe një falënderim për tifozët laçianë që kanë treguar shumë herë që e duan ekipin me zemër.
Në ditët në vijim do ju prezantoj me ekipin e ri.
Me respekt, Renato Malota”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!