FSHF mbështet ekipin Afgan

Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi një aktivitet me temë “Together for football” sot në Lezhë së bashku me drejtuesit e Federatës Afgane të Futbollit dhe Kombëtaren e vajzave afgane të futbollit.

Të pranishëm në eventin e zhvilluar në ambientet e Akademisë së Shënkollit së bashku me delegacionin afgan ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, futbolllistet e Kombëtares shqiptare të femrave, Megi Doçi, Luçije Gjini e Esi Lufo si edhe përfaqësues të FSHF-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Duka shprehu gatishmërinë e FSHF-së për të mbështetur Federatën Afgane dhe ekipin e vajzave në mënyrë që të ndihen sa më mirë në Shqipëri, duke u krijuar kushtet e duhura për të luajtur futboll.

“Unë do të isha më i lumtur nëse do të vizitoja vajzat dhe federatën afgane në Afganistan në kushte normale, sepse jam i bindur që nuk janë shumë të lumtura që janë larguar nga vendlindja e tyre për arsye të ndryshme politike apo të konfliktit që po ndodh atje. Gjithsesi në këto kushte jemi takuar edhe para miqësores me Gjeorgjinë, vajzat afgane kanë vizituar ambientet e Shtëpisë së Futbollit bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Afgane, Fazil Mohammad Shahab dhe një pjesë të stafit.

Tani jemi këtu për të bërë atë çfarë mund të bëjmë konkretisht në këto kushte për të ndihmuar vajzat që të mos shkëputen nga stërvitja, të mos shkëputen nga futbolli. Jemi këtu për të konkretizuar këtë bashkëpunim, për të nisur stërvitjen dhe për të garantuar të gjthë bazën materiale që do t’u duhet vajzve për të ushtruar sportin e tyre në Lezhë, ku janë akomoduar.

Do t’i furnizojmë me bazë materiale, do t’i sigurojmë fushat për stërvitje dhe gjithçka që do të nevojitet. Por nuk është kjo më e rëndësishmja. Ne jemi këtu për t’iu dhënë mesazhin se ne jemi bashkë dhe në çdo gjë që të kemi mundësi apo çdo vështirësi do ta kalojmë bashkë dhe të lehtësojmë sa më shumë momentet e vështira që keni kaluar. Do t’ju shpreh edhe një herë gatishmërinë e FSHF-së, edhe të ekipeve, futbollisteve shqiptare për të bashkëpunuar, qoftë edhe për të bërë ndeshje miqësore.

Futbolli vërtetë është një lojë, por është më shumë se një lojë sepse na ndihmon që të jemi më shumë bashkë. Kështu është edhe slogani ‘Together for football’, por ne nëpërmjet futbollit jemi bashkë edhe në jetën tonë dhe kjo është e bukura që na dhuron kjo lojë dhe ky është motivi për të cilin shumë vajza të tjera nga të gjitha vendet e botës duhet t’i bashkohen lojës tonë, jo vetëm për lojë, por më shumë se sa vetëm lojë. Ju premtoj që në çdo moment FSHF do të jetë e gatshme për çdo gjë që do t’ju nevojitet”, – tha Presidenti Duka. “.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Afgane të Futbollit, Fazil Mohammad Shahab, e falënderoi Presidentin Duka dhe FSHF-në për mikpritjen dhe mbështetjen e dhënë, teksa u shpreh i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin midis dy federatave.

“Shqipëria tashmë është si një shtëpi e dytë për ne. Ndihemi shumë mirë këtu dhe falë mbështetjes së FSHF-së dhe Presidenti Duka, na janë krijuar të gjitha kushtet e duhura. Është e vështirë të jesh larg shtëpisë, por ne jemi ndjerë si në shtëpinë tonë këtu në Shqipëri. FSHF ka bërë aq shumë për ne dhe tani do të kemi mundësinë që edhe vajzat tona të stërviten dhe të luajnë futboll.

Para disa ditësh ne vizituam edhe ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe pritja ka qenë shumë e ngrohtë. Dua të falënderoj shumë Presidentin Duka dhe shpresoj që bashkëpunimi ynë të vazhdojë edhe në të ardhmen. Futbolli na bën të gjithë bashkë kudo që të jesh. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen tuaj dhe do t’u jemi mirënjohës gjithmonë”, – tha Shahab.

Kapitenia e Kombëtares shqiptare, Megi Doçi, shprehu kënaqësinë për këtë aktivitet kaq domethënëse dhe u bëri thirrje vajzave nga Afganistani që të ndjekin ëndrrën e tyre dhe pasionin për futbollin.

“Jam shumë e lumtur që marr pjesë në këtë aktivitet kaq domethënëse. Më besoni, unë i di vështirësitë me të cilat ne përballemi, në Shqipëri para disa vitesh nuk ekzistonte fare futbolli i femrave dhe mentaliteti i shoqërisë ishte shumë i vështirë kur bëhej fjalë që një vajzë të luante futboll. E kuptoj se si ndiheni që nuk mund të luani futboll dhe nuk mund të ndiqni ëndrrën tuaj.

E kam provuar vetë dhe ka qenë shumë e vështirë për mua, kam thyer shumë tabu dhe e kam ndjerë shumë pengesën e mentalitetit, si nga djemtë, por edhe nga shoqëria, sepse një vajzë sipas tyre nuk mund të luante futboll, por duhet të jeni të guximshme, duhet të luftoni për ëndrrat tuaja. Bashkë edhe me shoqet e mia mendoj që kemi thyer tabu, kemi treguar që dimë të luajmë futboll si vajza dhe nuk jemi vajza që dimë thjesht të bëjmë punët e shtëpisë, por dimë të luajmë futboll dhe ta përfaqësojmë mjaft mirë Shqipërinë në Kombëtaren e femrave.

Sa herë të kem mundësi do t’ju qëndroj pranë dhe do t’ju mbështes për të ndjekur ëndrrën tuaj. Kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Futbolli është gjithçka dhe na bashkon të gjithëve”, – u shpreh Doçi.

Ndërsa vajza nga Afganistani, Fatima Rezai, tregoi vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar dhe falënderoi FSHF-në dhe Presidentin Duka për mbështetjen që i kanë dhënë delegacionin afgan. “Jam futbolliste e Kombëtares së Afganistanit. Kur talebanët mbërritën në Kabul unë nuk mund ta imagjinoja që nuk do të kisha mundësi të luaja me topin e futbollit dhe nuk mund të studioja.

Ju falënderoj nga thellësia e zemrës, Shqipëria me riktheu mundësinë për të luajtur futboll. Në Afganistan unë humba gjithçka kisha në jetën time, humba familjen, humba studimet dhe humba futbollin, por mendoj se tashmë populli shqiptar është familja ime dhe Presidenti i FSHF-së më dha gjithçka që unë kisha humbur në vendlindje. Kam mësuar fjalën shqipe ‘faleminderit’ dhe dua të falënderoj Presidentin e FSHF-së që më dha një jetë të re”, – tha Fatima Rezai.

Anëtarja e KE-së së FSHF-së, Anila Basha, në fjalën e saj theksoi se federata do ketë shumë projekte për të ndihmuar futbollin e vajzave por edhe për të mbështetur delegacionin afgan për t’iu dhënë një eksperiencë të paharrueshme.

“Kur në vitin 2012 unë isha në Afghanistan, nuk e imagjinoja kurrë që ai tranzicion i vështirë do të kishte vajza që do të luanin futboll, ndërsa sot ja ku jemi këtu, ja ku jeni ju këtu pranë nesh dhe kjo në një rrethanë disi të vështirë për ju dhe shumë e veçantë disi edhe për ne. Dua t’ju them që në FSHF, duke qenë se unë jam për herë të parë pjesë e Federatës, do të punojmë shumë jo vetëm për vajzat tona që na kanë bërë krenare, por do të punojmë shumë që të kemi projekte dhe programe të përbashkëta për të ndihmuar këdo që na vjen në derën e shtëpisë. Kështu që shpresoj shumë ta shijoni këtë eksperiencë ndryshe dhe të vazhdoni të përgatiteni që kur ktheheni në Afganistan një ditë apo kudo që të shkoni të keni suksese”, – theksoi Anila Basha.

Më pas Presidenti Duka dhe futbollistet e Kombëtares shqiptare u dhuruan vajzave nga Afganistani bazën materiale për të siguruar mbarëvajtjen e stërvitjes së tyre. Një grup prej rreth 150 personash nga Afganistani, ku përfshihen zyrtarë të Federatës Afgane të Futbollit dhe skuadrën e futbollit të femrave, ndodhen aktualisht në Shqipëri. Ata janë shpërngulur nga vendi i tyre për arsye të situatës së vështirë atje, dhe janë evakuuar fillimisht nga Afganistani për në Katar dhe më pas në Shqipëri me ndihmën e FIFA-s. Afganët ndodhen në Shqipëri përkohësisht në statusin e të mbrojturve./FSHF/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!