FSHF, seminar teorik me trajnerët e rajonalëve

Drejtoria Teknike e Federatës Shqiptare të Futbollit organizoi seminarin e radhës teorik me trajnerët e ekipeve përfaqësuese rajonale dhe përfaqësuesit e Zyrave Rajonale të Federatës në gjithë vendin.

Seminari i organizuar në bashkëpunim edhe me Departamentin e Edukimit dhe Departamentin e Ekipeve Kombëtare në FSHF u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe u drejtua nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese.

Për shkak të kushteve atmosferike, trajnerët punuan kryesisht me leksionet në pjesën teorike për mënyrën se si duhet punuar me futbollistët e vegjël, duke u përditësuar me metodologjitë me të reja, ndërsa pjesa praktike do të zhvillohet në një moment të dytë.

Në prononcimin e tij për Fshf.org, Drejtori Teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese theksoi objektivin e seminarit për të përmirësuar nivelin e stërvitjes dhe si rrjedhojë të ndihmojë në zhvillimin e përfaqësueseve rajonale të FSHF-së, duke unifikuar metodologjinë e punës në të gjitha zyrat.

Camolese shprehet se është shumë e rëndësishme që trajnerët dhe futbollistët të përshtaten me zhvillimet e vrullshme të futbollit modern dhe të ecin me hapin e kohës, duke përdorur metodat më të mirë dhe duke luajtur një futboll gjithnjë e më të shpejtë.

“Objektivi është ai që së bashku trajnerët, të cilët punojnë në zyrat rajonale të FSHF-së, t’u ofrojmë futbollistëve tanë atë që futbolli i nivelit të lartë kërkon aktualisht, që do të thotë ushtrime të ndryshme, që së bashku me trajnerët e zyrave rajonale kemi rënë dakord.

Jemi duke diskutuar me trajnerët dhe jemi dakord që në këtë moment futbolli është akoma më i shpejtë, futboll më intensiv kështu që ka ushtrime që stërvitin të rinjtë tanë se si të shpejtojnë mënyrën e tyre të lojës. Jam i kënaqur, sepse në turneun e ekipeve përfaqësuese rajonale që po organizojmë kam parë një frymë ndryshe, të gjithë skuadrat provojnë të bëjnë një futboll më të shpejtë duke nisur që nga portieri dhe kjo është në sinkron me atë që po shohim në futbollin ndërkombëtar, që zhvillohet çdo ditë”, – tha Giancarlo Camolese.

Gjithashtu, Drejtori teknik i FSHF-së shtoi se shkëmbimet e eksperiencave me trajnerët e ekipeve rajonale janë shumë të rëndësishme për të evidentuar talente të vlefshme për ekipet tona kombëtare.

“Por kemi shumë rrugë për të bërë bashkë, por unë jam i bindur se me seminare si ky që po bëjmë këtë herë ne do të mund t’i përmirësojmë gjërat gjithmonë në favor të djemve që luajnë futboll në Shqipëri. Këto janë takime shumë të rëndësishme, sepse më japin mundësi të shkëmbej ide më trajnerët, të cilët punojnë në zyrat rajonale. Shqipëria është një vend i madh, ka shumë rajone, ka diferenca mes tyre dhe kjo më jep mundësi edhe mua të kuptoj më mirë gjërat, ndërsa ato sjellin vëzhgimet e tyre për mënyrën e punës që ne sugjerojmë. Për më tepër, jam i bindur se me ndihmën e tyre ne do të gjejmë gjithmonë futbollistë më të talentuar për të përmirësuar ekipet tona kombëtare”, – deklaroi për Fshf.org, Camolese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!