Martini: Jemi më të fortët, meritojmë titullin

Edi Martini tekniku shkodran i Teutës doli në konferencë për shtyp për të folur për sfidën ndaj Bylis, ndeshje të cilën durrsakët e luajnë në fushën e tyre të shtunën në ‘Niko Dovana’. Një ndeshje e cila sipas teknikut nuk duhet vënë në diskutim. Martini sërish përseriti te të pranishmit se ‘Teuta meriton titullin”.

Martini:

“Në pjesën e parë u ruajtëm. Duke parë kualitetet e Vllaznisë dhe mënyrën se si luajnë ata, qëndruam pak në mbrojtje. Në pjesën e dytë kërkuam të dilnim përpara, por nuk arritëm të shkonim te porta ashtu siç donim.Prishëm aksionet e Vllaznisë, qarkulluam topin, pavarësisht se bëmë shumë gabime, sidomos te pasimet. Në këto momente janë shumë të rëndësishme pikët, është shumë e rëndësishme ana psikologjike e lojtarëve. Një humbje do na bënte shumë dëm, kështu që gjysmë e së keqes ishte barazimi”.

Bylis? Nuk ka ndeshje të lehta, ata luajnë për të mos dalë nga kategoria, ndërsa ne luajmë për të dalë kampionë. E shoh si një ndeshje që duhet fituar, por duhet të kemi kujdes. Jemi mirë, gjendja fizike e lojtarëve është e mirë, duke përjashtuar kapitenin Arapi.Ai ka një dëmtim në pulpë, shpresojmë ta kemi për ndeshjen tjetër. Pjesa tjetër është ok, gjendja e grupit është e mirë, kështu që them se jemi në nivel mjaft të mirë.

Presioni i fitores? Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, por kjo nuk përbën problem për ne, sepse ne çdo ndeshje e kemi për ta fituar. Është një ndeshje e fortë, Bylis kërkon të marrë diçka nga kjo ndeshje. Ne do të bëjmë ndeshjen tonë, do të futemi në fushë për fitore. Ekipi ka luajtur mjaft mirë në fazën e mbrojtëse, kemi presuar shumë lart, nuk kemi lënë ekipet të organizojnë lojën e tyre. Disa shprehen se Teuta ka mbrojtje të fortë sepse luan në mbrojtje, por jo. Ne kemi mbrojtje të fortë sepse presojmë lart, nuk lejojmë ekipet të na afrohen te porta.

Shanset për titull? Shanset janë të mëdha, duke parë nivelin e lojës që kemi treguar gjatë ndeshjeve. Unë them që jemi pretendentët kryesorë për të fituar titullin”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!