Bregu deklaron: Goli më i bukur në karrierë
Dejvi Bregu u shpall njeriu i ndeshjes Teuta- Laçi. Vlonjati me një supergol në të 77′-ën i dha tri pikë durrsakëve të teknikut Edi Martini.
Pas ndeshjes teksa i thonë se ky ishte goli i 50-të, sulmuesi disa herë i kontestuar te Teuta, shprehet se ka dedikime:
Bregu:
“Duke parë rëndësinë e ndeshjes, besoj se ishin tre pikë shumë të rëndësishme për ekipin tonë. Besoj se ky ishte goli më i bukur në karrierë. Desha t’ia dedikoj dy presidentëve, shokëve, stafit, gjithë tifozëve që erdhën e na mbështetën sot, familjes time dhe babait që e ka pritur këtë gol prej kohësh.
Kam hasur vështirësi kur erdha këtu, kisha mungesë ritmi pasi erdha me vonesë. Por, unë e di shumë mirë se kush jam kur jam në ritëm, e di forcën time. Rëndësi ka që erdha në formë në një moment që i duhesha ekipit, shpresoj të vazhdoj kështu.”
Titulli? Ne gjithmonë kemi besuar te titulli, ia kemi ditur vlerat dhe forcën njëri-tjetrit. Besoj se jemi ekipi më i mirë në këtë fazë. Kemi besuar gjithmonë, të vazhdojmë kështu përpara sepse i kemi të gjithë mundësitë dhe potencialin për ta mbyllur sezonin në vend të parë.
Rivalët? Nuk dua të çoj mesazh për ekipet kundërshtare. Mesazhin e kemi brenda grupit tonë. Të jemi të bashkuar dhe të mbajmë këtë frymë. I kemi cilësitë për të ruajtur vendin e parë. Zoti para dhe ne pas.
Penalltia e pretenduar? Nuk ka qenë penallti, e sqarova edhe me Ignjatoviç gjatë ndeshjes, thjesht më pengoi hapin për të bërë lëvizjen e radhës, por nuk është penallti”.