Laçi sillet si klub europian, pezullon Nuabuezen

Klubi: “Do të merren edhe masa të tjera në një moment të dytë”. Kjo do të thotë se sulmuesi bardhezi përpos pezullimit pa limit, mund dhe të gjobitet në vlera monetare.

Klubi i Laçit nuk e zgjat. Fill pas një dite të trazuar në Ballsh, drejtuesit bardhezinj janë ndalur sot për të analizuar sjelljen aspak të denjë të futbollistit të tyre Kirian Nuabueze. “Pavarësisht arsyeve, ne nuk mund të pranojmë veprime të tilla të dënueshme”, shkruan Laçi në komunikatë.

Në fakt, sulmuesi ishte shkaku kryesor i asaj dhunë të pashoqe që u pa dje në minutat e para të pjesës së dytë në Bylis- Laçi (0-1). Nuabueze goditi Stivian Jankun e shtrirë dhe më pas vuajti të gjithë agresionin fizik të lojtarëve dhe stafit vendas.

Postimi i KF.Laçi:

“KF Laçi, pasi ka parë me qetësi gjithçka ka ndodhur përmes videove në ndeshjen me Bylisin, ka zhvilluar një mbledhje urgjente dhe ka vendosur pezullimin e përkohshëm të sulmuesit Kyrian Nwabueze. Sherri i djeshëm në sfidën me Bylisin dënohet nga klubi ynë, sikurse edhe sjellja e futbollistit tonë.

Pavarësisht arsyeve, nga ne nuk mund të pranohen veprime të tilla të dënueshme.  Nisur nga gjithë situata e krijuar, Nwabueze do të jetë i pezulluar për momentin dhe ndaj tij do të merren edhe masa të tjera në një vendim të dytë.

Dhuna në futboll nuk ka vend dhe ne si klub mbështesim futbollin e bukur dhe “fair-play”. Urojmë dhe shpresojmë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, pasi nuk i kanë hije këtij sporti të bukur. Ne si klub do të jemi në shërbim të vlerave dhe të rritjes së futbollit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!