Martini: Duhet të ndal Vllazninë
Një ndeshje speciale jo vetëm për skuadrën që drejton por dhe në aspektin personal. Edi Martini do të vihet përballë së shkuarës si futbollist e trajner. Ndaj Vllaznisë së qytetit të tij, Shodër.
Tjetër gjë thotë Martini kur ndeshesh me Vllazninë. “Do kem emocione por ne kudo futemi në fushë për fitore…”
Edi Martini:
Vllaznia…
“E kam theksuar edhe më parë, ne hyjmë në fushë për të fituar, cilido qoftë kundërshtari. Normalisht kemi vështirësi. E njohim mjaft mirë ekipin kundërshtar, i dimë pikat e forta dhe të dobëta të tyre, gjithsesi fusha tregon gjithçka. Është e disata herë që përballem me Vllazninë si trajner i një ekipi tjetër. Këtë radhë emocionet janë edhe më të forta sepse po luajmë ndaj një Vllaznie, që kryeson klasifikimin që nga java e parë dhe normalisht është një ndeshje shumë e vështirë, prandaj edhe emocionet janë edhe më të mëdha. Kam thënë se ekipi është i kompletuar.”
Ecuria
“Kemi mbyllur vitin e shkuar me një fitore direkte ndaj Kukësit, nuk kemi problematika të mëdha. Të them të drejtën nuk e kam mendjen aty, jemi të fokusuar te ndeshjet dhe nuk kemi shumë kohë të pushojmë.”
Merkato
“Do të ketë ndonjë afrim, por nuk kemi ndonjë pikë të dobët, të cilën duhet me patjetër ta përmirësojmë. Unë i përgëzoj të gjithë te Vllaznia, kanë bërë një punë shumë të mirë, që nuk është pritur, kështu që Vllaznia ka luajtur mirë, ka bërë ndeshje të mira.”
Synimi
“Ne hyjmë për të fituar ndeshjen. Na mjafton fitorja, nuk e kam mendjen te golat. E kam ditur edhe më parë se qendërsulmuesit tanë do të liroheshin sepse ndodhin situata të tilla, pavarësisht se ne na zgjati pak më shumë seç duhet. Kam besimin e plotë se lojtarët që kam në dispozicion janë të aftë që në momente të vështira të gjejnë veten”.
Hebaj
“Hebaj ka kërkuar largimin? Janë punë të klubit dhe presidencës, ne jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme, që është tepër e rëndësishme, për të tjerat flasim”.