Dhunoi, Meguajër pas hekurave në Mikonos

Kapiteni i Mançester Junajtid, Herri Meguajër, pritet të akuzohet për sulm të rëndë, pasi dyshohet se “ka goditur” një oficer policie dhe është arrestuar pas një grindjeje të enjten në mbrëmje në Mikonos.

Mbrojtësi i Anglisë kaloi natën në paraburgim të policisë dhe do të përballet të shtunën me akuzën në ishullin fqinj Siros, qendra administrative për rajonin, në orën 11:00 me kohën lokale.

Meguajër ishte me miqtë në një bar në ishullin grek kur ndodhi incidenti dhe 27-vjeçari është arrestuar më pas bashku me dy shokë dhe u dërgua në një stacion lokal policie, ku dhe është marrë në pyetje.

“Futbollisti ishte abuziv verbalisht ndaj një oficeri dhe më pas e goditi. Të tre rezistonin kur u sollën në stacionin e policisë Mikonos”,- tha një zyrtar policie, i cili shtoi se Meguajër dhe miqtë e tij do të dërgoheshin me anije në Siros, për t’u përballur me akuzat e ngritura nga një prokuror publik.

Mediat greke raportuan, se të enjten vonë, Meguajër kishte hyrë në “një grindje shumë të nxehtë” me pushuesit e tjerë anglezë në ishullin e festave. Kur policët, të thirrur në vendngjarje, u përpoqën të shuanin përleshjen e mesnatës, ata u abuzuan me gojë, madje edhe u dhunuan fizikisht.

Sipas avokatit të tij, Konstantinos Darivas, futbollisti Herri Meguajër mohon akuzat dhe është “plotësisht i bindur që nesër ai do të lirohet pa asnjë akuzë”.

Sakaq, në një deklaratë të Junajtid lexon: “Klubi është i vetëdijshëm për një incident të supozuar që përfshinte Herri Meguajër mbrëmë në Mikonos. Kontakti është bërë me Herrin dhe ai po bashkëpunon plotësisht me autoritetet greke. Në këtë kohë ne nuk do të bëjmë asnjë koment tjetër”.  

Meguajër do të ketë këshilla ligjore dhe mbështetje nga avokatët e klubit. Por nëse futbollisti shpallet fajtor, kjo do të shkaktojë një problem serioz për trajnerin Solskjer, i cili ka nisur përgatitjen për ndeshjen e 19 shtatorit ndaj Kristal Palace, e para për sezonin e ri në Premier League.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!