Korabi, preferenca e Dajës për premierë…
Për më tepër se një javë, trajneri kryeqytetas Ilir Daja ka nisur të stërvisë skuadrën e kuqe të Partizanit. Duke qenë se përgatitjet e kësaj faze kanë rëndësi për vijimësinë e sezonit, trajneri Daja ka menduar që të zhvillojë të mërkurën edhe një miqësore.
Kundërshtari i përzgjedhur për këtë lloj testi për të kuqtë, do të jetë Korabi i Peshkopisë, që luan në Kategorinë e Parë. Ndeshja do të luhet në kompleksin “Pepa” në Elbasan, atje ku skuadra e Partizanit po përgatitet, njofton klubi i kryeqytetit.
“Skuadra do të zhvillojë të mërkurën ndeshjen e parë miqësore ndaj Korabit. Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të kuqtë në drejtimin e trainerit Ilir Daja do të luajnë edhe testin e parë miqësor. Takimi miqësor është programuar të luhet në kompleksin sportiv “Pepa” në Elbasan, ora 17:30”, njofton klubi i kryeqytetit.
Miqësorja e sotme ndaj Korabit, do të jetë edhe ndeshja premierë e trajnerit Ilir Daja, në krye të stolit të kuq të Partizanit.