Tirana në krye, Egbo ‘magjistar’
Kategoria Superiore, java e 21: Vllaznia- Tirana 0-1 (Kobina 86′)
Tirana në krye, Egbo një magjistar… E para realitet, së paku për 24 orë, e dyta edhe pse fakt, mbetet imagjinatë. Bardheblutë në fitoren e 7 radhazi në kampionat dhe të 8-ta nën drejtimin e Emanuel Egbosë në pankinë.
Ndodhi mbrëmjën e sotme ndërsa në ‘Loro Boriçi’, në klasikën Vllaznia- Tirana, Kobina 4 minuta nga fundi, tundi rrjetën e Sherrit fajtor.
Një ndeshje e cila pati dy tabllo. E para nën diktatin e miqëve nga Tirana të cilët me Kale në superformë por dhe të qartësisë së lojtarëve në gjithë hapsirën, mbajtën epërsinë në gjeografinë e fushës. Krijuan dhe iu afruan golit disa herë.
E dyta nis ndryshe. Është Vllaznia që futet në fushë me mentalitet të ndryshuar. Shkodranët krijojnë disa raste të pastërta goli por herë mungesa e qetësisë e herë ndërhyrjet e Ilion Likës, e mbajtën në lojë Tiranën.
Në fund, ndërsa të gjithë prisnin golin e vendasëve apo barazimin, vjen goditja fatale. Kobina gati për t’u ndërruar, ka në këmbë topin e ‘magjisë’.
Depërtim nga e djathta, spostim në qëndër, lëvizje duke krijuar hapsirën dhe goditje asfiksuese për portierin Sherri. Tirana mbyll me tri pikë e bashkë me të, kap kreun e renditjes. Për herë të parë në këtë edicion.