Starton Superiorja, merkato një hiç…

I erdhi fundi sesionit përgatitor të janarit. Me merkaton ende hapur, e që deri tani ofron pak lëvizje, 10 skuadrat e elitës së futbollit shqiptar, nesër dhe pasnesër në fushë për 19 javët e mbetura të kampionatit të 81-të Kombëtar të Futbollit.

Do të nisë për këtë 2020 kalendarik, çifti Vllaznia- Flamurtari. Në orën 14:00 në ‘Loro Boriçi’, aty ku vendasit e Jonuz, pas përforcimëve të fundit pretendojnë të kenë një marsh më shumë drejt synimëve sezonale.

Sidorenko, Hristov apo kthimi i Hygor, sinjale pozitive të klubit më të vjetër të Shqipërisë. Për vlonjatët, situata mbetet kaotike. Me merkaton e mbyllur, pas një vendimi të FIFA-s, Flamurtari vështirë të sillet në fushë si në kohë të arta. Gjithësesi, tekniku-menaxher ‘shumëshetitës’ Troisi, e ka një qëllim…

Po nesër, duke nisur nga ora 17:00 dy takime ‘klasi’. Në fushë duelet Skënderbeu- Partizani dhe Teuta-Laçi.

Korçarët ende në ‘ndërtim’ premtojnë garë. Në grup kanë kualitete për të ndalur Partizanin e këdo tjetër. Veçse, shkëlqimi i dikurshëm duket se ka marrë rrugën e tatpjetës…

Të kuqtë me kthimin e Sormanit në timon, besojnë se mund të rimarrin kuotat e kampionit. Aspak e lehtë ndërsa skuadra ende nuk ka kryer goditjen e madhe në merkato.

Me Asanin e larguar dhe ‘çështjen’ Mala, ende të pazgjidhur, skuadra kampione në fuqi, nuk do ta ketë të lehtë. Avantazhi i Partizanit, progresioni te impianti i ri i tyre në Tufinë.

Teuta pret kurbinasit në një takim mjaft të ekuilibruar. Së paku në letër. Skuadra e Martinit, largoi dyshen sulmuese Nikaç-Khalid, por dhe mesfushorin Vecaj që paradoksalisht, nënshkroi me bardhezinjtë. Kolubali goditja shpresë…e sulmit.

Kurbinasit, pasi ‘spastruan’ radhët, afruan jo vetëm shkodranin Vecaj por dhe një lojtar me cilësi si Greca.

Pasnesër Tirana-Bylis dhe Luftetari- Kukësi. Në fakt, takimi i bardhebluve me mallakastriotët, ofron pritshmëri të lartë.

Tirana e Egbosë thuajse identike e fundvitit të shkuar, gjendet në momente ideale për të ruajtur performancën e javëve të fundit zyrtare. Qëllimi është një dhe i vetëm, të mundë Bylisin e ta parakaojë në renditje.

Në kahun tjetër skuadra e Dovedan ngjan me një ‘hirushe’ të bukur’. Vendi i dytë dhe stabilitet në kontigjent e financa. Entuziazmi qëndron dhe ndaj Tiranës për të konfirmuar se meritojnë pozicionin aktual.

Luftëtari- Kukësi, dueli i cili ka pak shanse të dhurojë surprizë. Girokastritet me penalizme nga FIFA e futbollistë të larguar, vështirë të ndalin Kukësin që të gjithë në unison, nxitojnë ta quajnë kampionin e ardhëshëm të Kategorisë Superiore.

Në fakt, verilindorët edhe në teste me skuadrat europiane, treguan klas e cilësi. Edhe pse nuk kanë kryer asnjë lëvizje…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!