Bardheblutë e Tiranës “gjejnë” trajnerin…

Historia e trajnerit përfundimisht është mbyllur te bardheblutë e Tiranës. Ashtu siç ishte premtuar nga presidenti Halili, që fillimi i zborit stërvitor në Turqi do ta gjente skuadrën kryeqytetase me trajner të ri. Dhe për ta gjetur atë nuk janë lodhur shumë, e kanë përzgjedhur brenda “familjes”…

“Emanuel Egbo do të vijojë në krye të Tiranës. Trajneri bardheblu gëzon besimin e plotë të presidentit, klubit dhe skuadrës për të marrë zyrtarisht drejtimin. Pas tre ndeshjeve me të në krye, klubi ka vendosur ti besojë deri në përfundim të sezonit pankinën bardheblu. Një zgjedhje brenda familjes për të synuar objektivat sezonale. Egbo prej gjashtë vitesh është pjesë e stafit teknik të Tiranës ndërkohe që ka eksperiencën e duhur dhe kualifikimet përkatese për të drejtuar skuadrën,” – shkruhet në faqen zyrtare të klubit të Tiranës në “facebook”.

Ndonëse e mori skuadrën e Tiranës në një gjendje tepër të vështirë dhe në kushte emergjence, pas fitores së derbit me Partizanit dhe atyre ndaj Flamurtarit dhe skuadrës kurbinase në Laç, “tironsit” nigerian Emanuel Egbo, i doli “frika” dhe iu shtuan ambiciet.

Për “RTSH Sport” në Laç, ai do të deklaronte se do të ulej të bisedonte me drejtuesit e klubit për vazhdimësinë e bashkëpunimit të tyre. Dhe presidenti Halili “e gradoi” Egbonë, nga zv.trajner në trajner, duke i besuar drejtimin e Tiranës për vazhdimin e kampionatit të 81-të të Superiores.

Pas Ardian Memës dhe Julian Ahmatajt, nigeriani Emanuel Egbo do të jetë “timonieri” i tretë që do të drejtojë bardheblutë e kryeqytetit gjatë këtij sezoni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!