Egbo rilind Tiranën, Kukësi befasohet nga Skënderbeu

Kategoria Superiore java 17-të: Bylis- Luftetari 1-0 (Guindo 36′). Laçi- Tirana 1-2 (Ignjatoviç 28’/ Muçi 31′,78′)

Partizani- Vllaznia 1-0 (Bitri 62′). Kukësi- Skënderbeu 1-1 (Rroca 60’/ Dita 32′)

Me Flamurtari- Teuta e pezulluar për kushte të vështira atmosferike, dy takimet e orës 13:00, u luajtën në fushat e Ballshit dhe Laçit.

Edhe këtu rrebeshet e shiut kanë kushtëzuar jo pak, por Bylis-Luftetari dhe Laçi-Tirana, përfunduan sipas programit.

Në Adush Muça’, skuadra e Dovedan u mjaftua me një gol të Guindo realizuar nga penalltia (36′). Në vijim gjithçka u shkoi për shtat vendësve të cilët me tri pikë të tjera u ngjitën në kuotën e 30 pikëve.

Në Laç, dueli mes Laçit dhe Tiranës, nisi me vështirësi të shumta aq sa topi lëvizte shumë pak. Janë bardhezinjtë e Cungut me më shumë inisiativë por rastet nuk munguan dhe në kahun tjetër. Në të 28-tën, Shehu nga loja e ndaluar harkon në zonë aty ku Ignjatoviç godet saktë me kokë për 1-0.

Tirana aspak në ‘shok’ psikologjik, del përpara dhe në harkun kohor të tri minutave, barazon me Muçin.

Në pjesën e dytë Laçi i afrohet avantazhit me Nuabuezën por aksioni personal i amerikanit, stampohet në shtyllë.

Në fazën e fundit të lojes është skuadra bardheblu e cila sërish me Muçin shënon golin e dytë. Këtë radhë sulmuesi i dalluar, merr kohën mbrojtjes vendase dhe mposht Stazhillën.

Në ‘Selman Stërmasi’, në orën 16:00, Partizani vuajti jo pak për të mundur Vllazninë. Pas pjesës së parë pa gola, është mbrojtësi beratas Bitri ai që shënon golin për të kuqtë.

Vllaznia përpiqet të barazojë teksa Da Silva 6 minuta nga fundi , humbet mundësinë ideale për të barazuar.

Kukësi me Skënderbeun në ‘Elbasan Arena’, dhurojnë një ndeshje emocionuese duke kujtuar rivalitetin e madh të vitëve të fundit mes tyre.

Fillimisht shënon Bruno Dita në të 32-tën për korçarët ndërkohë që në pjesën e dytë, Eduart Rroca, ka barazuar në të 60′-tën. Presioni i verilindorëve ka vijuar deri në fund, por gol tjetër nuk ka.

Asion Daja me dy kartonë të verdhë, ka lënë Skënderbeun me 10 futbollistë që nga minuta e 65-të. Kukësi kryeson me 31 pikë, një më shumë se Bylis.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!