Edhe Jonuzi kalon te Gjilani në Kosovë

Fjoart Jonuzi, kuksiani që dy sezonet e fundit ka veshur fanelën bardhezi të kurbinasve të Laçit, ka nënshkruar sot kontratë dhe do të jetë pjesë e skuadrës kosovare të Gjilanit, në sezonin e ri të IPKO Superligës, që pritet të startojë këtë fundjavë.

Lajmin e ka bërë vetë klubi gjilanas nëpërmjet një postimi në faqen e tij në “Facebook”, ku zyrtarizon mesfushorin Jonuzi, si blerjen e tij më të fundit.

“ZYRTARE: Fjoart Jonuzi futbollist i Gjilanit. SC Gjilani sot ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me futbollistin kuksian, Fjoart Jonuzi, i cili do të jetë pjesë e Gjilanit për edicionin e ri garues 2019/2020.

Jonuzi i lindur në vitin 1996 në Kukës, në skuadrën e Gjilanit vie nga ajo e Laçit, ku ishte paraqitur dy edicionet e fundit tek skuadra kurbinase.

Mesfushori më i ri i Gjilanit karrierën futbollistike e kishte filluar me skuadrën verilindore të Shqipërisë, KF Kukësi.
Ai për skuadrën nga vendlindja e tijë, ishte paraqitur nga viti 2013 deri në vitin 2017, nga ku u transferua në skuadrën e Laçit, ku kishte milituar në dy sezonet e fundit.

Ai gjatë karrierës së tijë ka realizuar 98 paraqitje në “Superiore”, duke shënuar 4 gola dhe duke asistuar 3 herë për bashkëfutbollistët e tijë. Në kupën e Shqipërisë, Jonuzi, kishte bërë 22 paraqitje duke realizuar 4 gola të tjerë dhe një asist tjetër.

Futbollisti më i ri i Gjilanit, paraqitje kishte bërë edhe në kupat e Europës me Laçin.Jonuzi gjithashtu paraqitje ka edhe me grupmoshat e reja të Shqipërisë, ku veçohen ajo U-21 dhe ajo U-19”, shkruhet në njoftimin e klubit kosovar të Gjilanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!