Tramezani, “viktimë” e Karabakut…

Paolo Tramezani, ish-ndihmësi i trajnerit Xhani de Biazit te kombëtares kuqezi, është bërë “viktimë” e skuadrës azere të Karabakut. Italiani, pasi u largua nga Shqipëria, mori drejtimin e skuadrës zvicerane të Luganos, për të kaluar më pas te Sioni, po në futbollin helvet.
Në tetor të 2018-tës, Tramezani mori drejtimin e skuadrës qipriote Apoel të Nikosias. Mirëpo, pa mbushur vitin, humbja 2-1 në shtëpi ndaj Karabagut në ndeshjen e pare të turit të tretë në Champions League, ka bërë që drejtuesit e skuadrës qipriote ta shkarkojnë trajnerin italian Paolo Tramezani.
“Ne dëshirojmë të falënderojmë z.Tramezzani për bashkëpunimin që kemi pasur dhe i urojmë më të mirën në karrierën dhe jetën personale”,– njofton klubi qipriot, i cili bën me dije edhe zëvendësuesin e tij: “APOEL njofton fillimin e bashkëpunimit me trajnerin Thomas Doll, që do të zgjasë për dy vjet deri në maj 2021.”