Abazi, një kampion i Korçës për Prishtinën

Lojtari që i ka provuar të gjitha rolet në krahun e majtë te Skënderbeu, gjilanasi Leonid Abazi, sot ka zyrtarizuar kalimin e tij në radhët e skuadrës së Prishtinës.

Ai ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare në nënkampionët e Kosovës, ku për rastësi do të jetë përsëri nën urdhërat e trajnerit Mirel Josa, që e ka stërvitur te skuadra korçare.

“Pas bisedave të gjata është arritur akordi trevjeçar me futbollistin Leonit Abazi. 26-vjeçari, i lindur më 26.05.1993 në Gjilan, futbollistë i krahut të majtë 174 cm i gjatë, ish-futbollisti i Dritës, në korrik të vitit 2013 kishte kaluar në Skënderbeun e Korçës – skuadër kjo me të cilën kishte fituar gjithçka çfarë mund të fitohet duke luajtur edhe në grupet e Evropa Ligës.

123 ndeshje të zhvilluara me Skënderbeun (88 kampionale, 8 të Evropa Ligës, 26 për Kupë, 6 ndeshje në kualifikimet e Ligës së kampionëve dhe 5 për Superkupë) duke shënuar 6 gola (4 kampionat, 2 Kupë) dhe 4 asistime”, shkruhet në njoftimin e klubit të Prishtinës, i cili ka fituar një futbollist me vlera për sezonin që pritet të startojë.

Ndërkohë, Leonid Abazi, i cili ka “jetuar” prej 6 vitesh në Korçë, ka folur edhe si prishtinas. Ai ka vlerësuar klubin kryeqytetas, nuk e ka fshuar ambicien për të fituar trofe, si dhe komplimentuar trajnerin Josa, që e njeh prej kohësh.

“Vendosa për Prishtinën, sepse është klubi më i madh në Kosovë, klubi më i trofeshëm dhe klub me ekip me ambicie shumë të mëdha dhe kjo ishte arsyeja më e madhe e kësaj zgjedhje. Sigurisht që pres titullin kampion me Prishtinën, aty ku e ka vendin klubi dhe sa më lart të ecim në Evropë.

“E njoh ekipin e Prishtinës, e kam përcjell edhe sa isha në Shqipëri sikurse edhe kryetrajnerin Josa të cilin e kam pasur trajner edhe në Skënderbe. Është trajner me përvojë dhe kam shumë respekt të madh për të”, ka deklaruar blerja më e re e prishtinasve, Leonit Abazi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!