Fernando, mirë u pafshim kampion!…

Në moshën 35-vjeçare, ish-kampioni i Botës dhe i Europës, sulmuesi i kombëtares spanjole, Fernando Torres, ka vendosur “t’i vari këpucët e futbollit në gozhdë” dhe t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai ka njoftuar, se në paraditen e së dielës së 23 qershorit, do të organizojë një konferencë për shtypin, ku do të zyrtarizojë vendimin e tij të dhimshëm për t’u larguar nga fushat e blerta.

Biondi i shpejtë Fernando Torres do të spikaste 18 vite më parë në radhët e Atletikos së Madridit, fanelë që vishte në 214 ndeshje, duke shënuar 82 gola.

Shpejtësia, talenti si golador i lindur, nuk mund të kalonin pa u vënë re nga “Reds”-at Liverpulit, të cilët për katër sezone e aktivizuan në 102 ndeshje, ku Torres realizoi edhe 65 gola.

Nga “Anfild”, spanjoli do të kalonte në “Stemford Brixh”, në radhët e “bluve” të Londrës, ku do të ishte edhe përcaktues në finalen e Champions League, trofe që do t’i shtohet vitrinës së karrierës së tij.

Dhe për ta kompletuar atë, pas një përvoje të dështuar te Milani, Fernando Torres rikthehet në shtëpi, te Atletiko e Madridit, paçka se sezonin e shkuar përfshiu edhe një përvojë japoneze ne radhët e skuadrës së Sagan Tosu.

Fernando Torres, sulmuesi i shpejtë biond dhe i shquar i futbollit spanjol, ka vendosur t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Mirë u pafshim së shpejti kampion!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!