Presidenti Meta i dorëzon Flamurin olimpistëve

Boksieri Krenar Zeneli do të jetë flamurmbajtësi në Lojërat II Olimpike Europiane “Minsk 2019”. Sportistët shqiptarë do të konkurrojnë në disa disiplina sportive si në boks, çiklizëm, mundje, xhudo dhe qitje

Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, i dorëzoi sot gjatë një ceremonie solemne, Flamurin Kombëtar, ekipit dhe delegacionit zyrtar, që do të marrë pjesë dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat II Olimpike Europiane “Minsk 2019”, të cilat do të zhvillohen në Bjellorusi nga 21 deri më 30 qershor 2019.

 “Është një kënaqësi e veçantë për mua që t’iu dorëzoj sot Flamurin, me bindjen se ju jeni më të mirët për ta ngritur atë sa më lart në këto Lojëra mjaft të rëndësishme. Jemi që të gjithë krenarë për punën tuaj, për talentin dhe shpirtin tuaj të garës dhe ju uroj suksese pasi ky është flamuri që bashkon të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Sporti ka treguar e ka ditur në momente të rëndësishme të ngrejë lart ndjenjën kombëtare përmes sukseseve dhe arritjeve, që nuk na kanë munguar dhe të cilat mezi po i presim tani në Bjellorusi.

Shpresojmë t’ju takojmë edhe pas kësaj ngjarjeje të madhe për të festuar arritjet tuaja. Forca dhe suksese!”– iu drejtua Presidenti Meta sportistëve shqiptarë, duke i falënderuar ata, trajnerët dhe të gjitha institucionet e sportit.

Presidenti i Republikës i dorëzoi Flamurin Kombëtar boksierit Krenar Zeneli, i cili do të jetë edhe flamurmbajtësi i ekipit Olimpik Europian të Sportistëve Shqiptarë, që do të parakalojnë në Minsk.

“Ndihem shumë i nderuar që do të jem unë flamurmbajtësi në këtë veprimtari madhështore. Shpresojmë që t’i sjellim sa më shumë medalje vendit tonë dhe ta nderojmë në podiumin e Europës,”– u zotua boksieri Zeneli, në emër të të gjithë ekipit olimpik shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!