Izmir Smajli, rekord kombëtar, 8.11 metra!

Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës kanë nisur garat për Kampionatin e 81-të Kombëtar të Atletikës. Dje, në ditën e parë të këtij eventi, atleti i shquar shkodran Izmir Smajli vendosi një rekord kombëtar në garën e kërcimit të gjati. Ai kaloi largësinë 8.11 metra, ndërkohë që rekordi i mëparshëm ishte 8.03 metra.
“Kam emocione sepse rekordin e arrita në qytetin tim dhe i falënderoj tifozët që më mbështetën. Kemi punuar shumë dhe them se po kaloj një formë shumë të mirë fizike. Më ka ndihmuar trajneri im Gjergj Ruli dhe tashmë shpresoj që të arrij rezultate të larta në garat ndërkombëtare. Përgatitja ime do vijojë pa ndërprerje dhe shpresoj të përmirësohem në vazhdimësi”, ka deklaruar pas rekordit atleti shkodran Smajli.
Sot përfundon Kampionati i 81-të Kombëtar i Atletikës, ku atletët e Tiranës dhe Vllaznisë janë pretendentë për të fituar titullin e kampionit si ekip.