“The Sun”: Anjeli, në Baku për Sarrin…
● Media britanike shkruan se bosi i Juves është takua me presidentin e Çelsit
Andrea Anjeli, si president i ECA-së, shkoi në Baku për të marrë pjesë në finalen e Europa League. Atje, ai është takuar me homologun e tij të Çelsit, Bruc Buck.
Kështu raporton tabloidi anglez “The Sun”, sipas të cilit, e ardhmja e Mauricio Sarrit ishte, pothuajse me siguri, subjekt i diskutimit mes presidentit të Juventusit dhe atij “të bluve” të Londrës.
Takimi është organizuar në një hotel të mirënjohur, siç tregohet edhe nga një seri fotografish të shpërndara tashmë në internet. Sipas “The Sun”, Çelsi është gati ta lerë Sarrin edhe nëse e fiton Europa League, me kusht që klubi italian të paguajë 5.5 milionë euro.
Trajneri 60-vjeçar Mauricio Sarri do të bisedojë me klubin anglez pas përfundimit të ndeshjes sonte, ndërkohë që Frank Lampard është i gatshëm për të zënë vendin e italianit.
Pronari i ekipit të Çelsit, Roman Abramoviç, gjithashtu do të marrë pjesë në finalen e sonte, prandaj edhe takimi i Anjelit me manjatin rus, nuk mund të përjashtohet.