Çelsi dhe Sarri, festojnë në Baku…
● Çelsi-Arsenal 4-1 (Zhiru 49′, Pedro 60’, Hazard 65′ (p), 72’ / Iuobi 69’) Finale drithëruese në Baku. Çelsi turpëron fqinjët me 4 gola në një pjesë loje dhe ngre lart Kupën e Europa League. Hazard në ikje, përshendet me dy gola.
Europa League i shkon Çelsit. Skuadra e Sarrit, pas një pjese të parë të përgjumur, shpërtheu në fraksionin e dytë, duke e dërrmuar finalisten tjetër Arsenalin, me 4 gola të bukur.
Në Baku, loja nisi e qetë aq sa ndjekësit në shkallë, por dhe gjithë botën, dyshuan në spektaklin e trofeut të “vogël” në Europë.
Pas disa miutave më të mira për skuadrën e Emeri, vjen rasti i parë i vërtetë teksa Granit Xhaka, jep goditjen drithëruese me një gjuajtje potente nga jashtë zonë. Topi prek shtyllën dhe kalon jashtë.
Nderkaq, Zhiru në hije, në 45’, bëhet protagonist i finales në startin e së dytës. Fillimisht shënon golin mjeshtëror më kokë, ndërsa pak minuta pas golit të Pedros fiton një penallti të kthyer në gol nga Hazard.
Është sërish kampioni i botës që jep asistin për Hazard, ndërsa Çelsi shënon golin e 4-t. Në shifrat 3-0, “topçinjtë” shënuan golin e shpresës me Iuobi, por pa mundur të rihapin takimin.
Trofeu i parë i Sarrit në Europë. Madje urimin e parë për këtë titull, italiani e ka marrë pikërisht nga ish-skuadra e tij, Napoli, që së bashku me presidentin De Laurentis, kanë përcjellë urimin në Twitter.
Në kahun tjetër zhgënjim i madh për Arsenalin që del huq, jo vetëm për kupën e munguar, por dhe për mundësinë që të jep trofeu për të marrë pjesë edicionin e radhës në Champions League.