“Në Barcelonë nuk shkojmë për pushime”…

“Mendoj se Mesi është lojtari më i mirë në botë, por nuk është vetëm ai, e gjithë Barcelona është një ekip me cilësi të lartë”. Kështu është shprehur Virgil Van Dajk, mbrojtësi i Liverpolit, në faqen e UEFA-s disa orë përpara ndeshjes së pare gjysmëfinale të Champions League me Barcelonën.
Van Dajk ka luajtur një herë në Barcelonë, në dhjetor të vitit 2013 me fanellën e Sëltikut. Në atë rast, skocezët u shkatërruan 6-1, pavarësisht mungesës së Mesit, për një problem muskulor.
“Pashë disa video, por kur humb 6-1, asnjë mbrojtës nuk mund të thotë se ka luajtur mirë”, – tha ai. “Gjëja pozitive ishte se unë fitova një përvojë që më ndihmoi të rritem”, ka shtuar Van Dajk.
Duke folur për sistemin mbrojtës të Liverpulit, qëndrori holandez ka thenë: “Ne nuk mbrojmë një për një, ne përpiqemi të mbrojmë dhe të sulmojmë si një skuadër dhe nuk jemi keq. Sigurisht që ne nuk duhet të shkojmë në Barcelonë për pushime”.