Kukësi nuk fal, Tirana s’di të shënojë…
● Tirana-Kukësi 0-2 (Shkurti 34’, 90’+4’). Verilindorët forcojnë vendin e dytë, ndërkohë që bardheblutë shpërdorojnë një mundësi për të ndryshuar pozicionin e tyre.
Edhe pse në një stadium të boshatisur, Tirana zhgënjeu ndaj Kukësit në “Selman Stërmasi”, në takimin e vlefshëm për javën e 30 të Superiores. Bardheblutë u mundën 2-0, në një ndeshje, ku humbja ishte e ndaluar për ta.
Ndërkaq, “blutë” e Gjokës u treguan tepër cinikë në këtë takim. Duke shënuar nga një here në çdo fragment të lojës me anë të shtatlartit Shkurtaj, kuksianët fiksuan fitoren 2-0 dhe arritën të marrin 3 pikë të vlefshme, që u siguron vendin e dytë, por mban disi gjallë edhe ëndrrën e tyre për titull.
Në 45 minutat e dyta, bardheblutë e kryeqytetit i shtuan përpjekjet e tyre për ta ballancuar rezultatin. Edhe tekniku Mema bëri lëvizjet e tij për të ndryshuar rrjedhën e takimit. Por qe e pamundur. Futbollistët e Tiranës, më tepër kishin dëshirë, se sa qartësi në veprimet e tyre për të realizuar në portën e Frashërit.
Pikërisht, kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në minutën e 4-t të shtesës, kuksianët përfitojnë nga shpërqëndrimi i mbrojtjes bardheblu dhe Shkurtaj, për së dyti, nuk fal. Edhe Abibi, si i fundit që duhet të korrigjojë gabimet e shokëve, e lejoi topin të përfundonte brenda kuadratit të mbrojtur prej tij. 2-0 për Kukësin!
Trajnerët deklaruan pas ndeshjes:
Ardian Mema (Tirana): “E vërtetë, kundërshtari u mundua të na kapte në befasi, duke qenë në ekuilibër. Kështu pësuam. Por, ishim edhe ne para portës. Duhej të ishim më të qetë për të shënuar. Këto ndeshje mbarojnë me episode, jo me një logjikë loje. Pasi pashë rezultatet e të tjerëve, i thashë që kjo mund të jetë java jonë, sepse nuk të vijnë shpesh këto raste për të marrë pikët dhe për t’u shkëputur. Por, nuk e shfrytëzuam. Tirana po vuan për episode, jo nga lojërat. Këto janë analiza që i kam bërë shpesh me lojtarët, dhe kemi trajtuar problematika që janë të konstatueshme. Probleme që kemi para portës, por edhe në fazën e sulmit kur humbim golat”.
Ernest Gjoka (Kukësi): “Arritëm të bëjmë detyrat që kishim thënë më parë dhe mbyllnim hapësitrat e Tiranës në sulm, duke i dhënë pak mundësi. Ne shohim ndeshjen e radhës dhe kjo është e rëndësishme. E kërkuam lojën në krah, shpejtësi e thellësi dhe realizuam. Rexhinaldo vrapon pafund dhe nuk dorëzohet. Bëri mirë ku ishte dhe kur ndryshuam sistemin e lojës pasi kishim lodhje në skuadër. Titulli kampion? Shohim punën tonë. Duhet të jemi të qartë dhe të bëjmë punën tonë. Nëse Partizani na bën dhurata, pse jo?” (Supersport)