Partizani, 1-1 me autoritet “kampioni”…
● Kastrioti-Partizani 1-1 (Lika 58’/Mensah 55’). Një barazim që nuk i shërben Kastriotit në luftën për mbijetesë
Pas tri fitoreve të mëparshme, në sfidën e 4-t dhe të fundit me Kastriotin për këtë sezon, “të kuqtë” e Gegës ndahen në barazim 1-1 me krutanët në Fushë-Krujë. Synimi i Partizanit ishte i qartë, të mos e humbiste këtë sfidë dhe nëse krijoheshin shanset, të godiste dhe të fitonte.
Diferenca në 12 pikë ndaj Kukësit, ia krijonte luksin që skuadra e “demave” më tepër të mendonte për rezultatin sesa për lojën. Dhe këtë e bëri më së miri, me “petkun” e një skuadre të vetëdijshme, tani se vetëm pak “metra” e ndajnë nga kurorëzimi si kampione.
Në minutën e 55-të, Mensah e kalon Partizanin në epërsi, me një 11-metërsh në lëvizje. Por gëzimi i “të kuqve” nuk zgjatë më tepër se 3 minuta. Në një rrëmujë brenda zones së Partizanit, Lika përfiton dhe barazon në 1-1, duke kthyer optimizmin te skuadra e tij.
Por shpresat e Kastriotit për ta fituar edhe këtë takim do të shtoheshin më tepër pas minutes të 70-të, kur Partizani do të mbeste më 10 lojtarë të fushë, pas daljes jashtë të mbrojtësit Rexhepi, me kartonin e dytë të verdhë të marrë prej tij.
Krutanët do të shtonin luftën, do të përpiqeshin me të gjitha forcat për të shfrytëzuar epërsinë numerike, por Partizani do ta menaxhonte rezultatin 1-1 dhe lojën me autoritetin e një skuadre të pret të kurorëzohet. Madje, ishin “të kuqtë” në çastet e fundit, që me anë të Çinarit mund të kalonin në epërsi, por portieri Çerkezi do të kryente një pritje shpëtimtare.
Trajnerët deklarojnë pas ndeshjes:
Bledar Devolli (Kastrioti): “Nga unë i pari te i fundit nuk jemi dorëzuar. Falënderoj Partizanin për lojën që bëri dhe mendoj se sot lamë dy pikë. Kartoni i kuq na e prish pak dhe ishim në rregull deri aty. E filluam mirë të dytën, por pësuam atë gol me karambol dhe shënuam edhe ne. Pasi u mor kartoni i kuq, kur duhej të shtonim një marsh, filluam me topa të gjatë të panevojshëm. I falënderoj çunat për një tjetër ndeshje të mirë sot”.
Skënder Gega (Partizani): “Ishte një fushë skandaloze sa i takon cilësisë, që na pengoi shumë të bënim lojën tonë. Tifozët u sollën mirë, ambienti ishte i mirë, është gjynah të ankohemi. Kjo ndeshje i pati të gjithë elementët për të qenë në tension. U ndëshkuam dhe mbetëm me 10 vetë në pjesën e dytë dhe e keqja është se do të kemi shumë mungesa në ndeshjen e radhës. Jemi besimplotë se gjërat do të shkojnë mirë. Jemi munduar t’i mbajmë lojtarët në ritëm, në stërvitje. Të kemi një shembull të mirë, t’i marrim ndeshjet seriozisht. Mendojmë vetëm për Laçin”. (Supersport)