Laçi i falet Selmanit, Skënderbeu në “tapet”
● Laçi-Skënderbeu 1-0 (Shtubina 31′). Bardhezinjtë vuajnë për tri pikë. Skënderbeu, shumë raste dhe penallti të humbur
Dueli mes Laçit dhe Skënderbeut, luajtur sot pasdite në stadiumin “Laçi”,i përmbushi pritshmëritë e tifozerisë në shkallë. Lojë impulsive me raste të shumta, shtylla, penallti, gol të anulluar dhe në fund një gol i rregullt në favor të bardhezinjëve. Një super Selmani. Përveç penalltisë së pritur, eviton në tri katër raste gola të sigurtë. Në këtë takim, Laçi vinte pas dy humbjeve radhazi dhe përgjegjësia në kampin e tyre, ishte mjaft e madhe.
Starova i pati thuajse të gjithë në dispozicion por në fushë vëndos të hedhë një grup të ekuilibruar. Në anën tjetër Skënderbeu me Muzakën të gatshëm, por vetëm aq,sepse tiranasi mbeti në pankinë. Në formacionin e Shehit ka vënd për të gjithë, por jo për tiranasin i cili vinte pas një dëmtimi në hundë. Kthyer te ndeshja, ajo nisi e qetë, ndërsa skuadrat më së shumëti, studjojnë njëra tjetrën. Më kalimin e minutava, inisiativa kalon herë në radhët e kurbinasëve e herë të homologëve të tyre nga korça.
Pas disa orvajtjve të Oktopu, Xhixhes por dhe të Gripshit në të 25’, vjen goli i parë dhe i vetëm i takimit. Rivënje me duar për bardhezinjtë nga e majta. Sefgjini, e kalon në zonë, aty ku Xhixha e devijon me kokë në drejtim të qëndres së zonës. Shtubina ndjek aksionin, e godet me kokë, duke e kaluar në këndin e djathtë të portierit Dajsinani. 1-0.
Më pas inisiativa në favor të bardhekuqeve të cilët i afrohen disa herë zonës së Selmanit. Dita dhe Radas me rastet e tyre për miqtë, i’a lënë vëndin Laçit, teksa në 42’ me Çokaj, mund të rrezikonte kuadratin mik.
Fraksioni i dytë nis me vrull për korçarët. Në harkun kohor të 7-të minutave, juglindorët i afrohen disa herë portës së Laçit. Për të kulmuar në të 52’-ën, teksa Skënderbeu fiton një penallti. Aksioni nis nga e djathata me Vangjelin që pengohet nga Sefgjini. Shahini, kryesori i ndeshjes, akordon penallti pa u menduar dy herë por laçianët, protesetojnë duke kërkuar drejtësi nga virojtësi. Dyshohet për faull jashtë zone. Pas konsultimeve të trupes së gjyqtarëve, vëndimi mbetet për t’u zbatuar. Bregu godet nga 11 m, ndërkohë që Selmani i thotë jo. Kapiteni kurbinas, fluturon në të majtë dhe eviton golin.
Megjithatë, paqja nuk ekziston. Korçarët nuk e ndjejnë shokun psikologjik dhe bëjnë më shumë forca përpara duke rrezikuar disa herë portën vëndase. Vangjeli sërish në skenë, teksa kronometri po i afrohej minutës së 60-të, provon sërish instiktet e Selmanit. Bën më të mirën portieri duke devijuar, dhe me ndihmën e shtyllës, e mban të paprekur portën.
Sakaq, dueli sulmit mik, me mbrojtjen vëndase, do të ndërpritet në të 77-ën, teksa Shtubina zbulohet në zonë,ndërsa tentativa për të gjetur klasin në goditje, transformohet në një humbës të një rasti shumë të pastër dyfishimi. E bën në të 81-ën, por sipas virojtësit Lamaj, ka pozicion jashtë loje. Goli nuk vlen. Në fund, ngulmimi i korçarëve, nuk sjell asgjë. Pas katër minutave shtesë, shifrat teknikë, prodhojnë 1-0 për vëndasit.
Trajnerët deklaruan pas ndeshjes:
Sulejman Starova (Laçi): “Skuadra arriti të fitojë duke vuajtur sepse kundërshtari ishte i fortë dhe ka pasur luhatje ku ka filluar mirë dhe ka rënë. Fitorja me Kastriotin që bëri na vuri në vështirësi, por portieri ishte nga më të mirët dhe morëm fitore me vuajtje. Morëm fitoren e radhës për objektivin që kemi. Sot nuk vodhëm gjë, por Skënderbeu meritonte më shumë”.
Orges Shehi (Skënderbeu): “Na vjen shumë keq për humbjen, por çunave në dhomat e zhveshjes u thashë se nuk duhet të mërziten, duke parë atë çfarë dhanë fushë. Luajtën me dëshirë. Nuk kemi kohë të qajmë, sepse vjen ndeshja tjetër shumë shpejt. Shpresojmë që atë që dhamë sot, të na shpërblehet në vazhdim. Penalltia? U ndodh të gjithëve të humbin penallti, Dejvi nuk është as i pari dhe as i fundit. Duhet të shohim përpara, nuk kemi çfarë bëjmë. Ndeshjet fitohen duke qenë cinikë, duke pasur fat dhe duke pasur kundërshtarin të dobët”.