Shehi: Partizani, ndeshje që i ka të gjitha

Nesër, në orën 18:30, në stadiumin “Selman Stërmasi” do të luhet takimi Partizani-Skënderbeu, i vlefshëm për javën e 28-të të kampionatit. “Të kuqtë” e kryeqytetit kryesojnë renditjen me 54 pikë, ndërsa “Ujëqrit” e Korçës renditen të 6-tët, me 14 pikë më pak.

“Pushimet” kanë qenë të gjata për kampionët në fuqi të Skënderbeut. Ata nuk janë lodhur as në ndeshjet çerekfinale të Kupës, as edhe për ndeshjen e javës së 27-të. Shansi i tyre ka qenë Kamza e përjashtuar. Ndërsa të shtunën të kuqtë e kryeqytetit mundeshin në “Selman Stërmasi” nga Luftëtari, korçarët fitonin 3 pikë në tavolinë.

Faza e katërt për Skënderbeun starton nesër në Tiranë me përballjen ndaj Partizanit. Trajneri i korçarëve Orges Shehi, në konferencën për shtyp në prag të këtij takimi është shprehur se sfida me Partizanin do të jetë shumë e luftuar dhe se do të ketë gjithçka brenda, pasi ndeshen dy skuadra që i kanë dhënë shumë kampionatit. I pyetur edhe për pritshmëritë e klubit korçar për ankimin e bërë në CAS të Lozanës, trajneri Shehi është shprehur optimist se Skënderbeu do të shpallet i pafajshëm.

Ndeshja? “Ndeshja me Partizanin është një ndeshje që i ka të gjitha brenda, ka kënaqësinë, emocionin dhe të gjitha. Janë dy skuadra që i kanë dhënë shumë kampionatit dhe kam bindjen se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe shumë e luftuar nga të dyja palët”.

Radas? “Ai është pjesë e skuadrës, ka qenë me leje nga klubi. Formacionin do ta bëj nesër, pra para ndeshjes, dhe aty do ta shikoni se cilët lojtarë do të zgjedhim të luajnë nga minuta e pare”.

Vendimi i KAS-it?“Ne, si staf teknik, duam ta mbajmë larg skuadrën nga kjo çështje. Është një çështje, me të cilin merren avokatët dhe drejtuesit e klubit. Është një çështje që do të merret në shqyrtim këtë muaj dhe ne kemi besim se do të shpallemi të pafajshëm”, – ka deklaruar trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!