Shkëmbi: Kam besim, do ta kalojmë ngërçin

● Nesër në Vlorë, në orën 18:30, takimi Flamurtari-Teuta, i vlefshëm për javën e 28-të të kampionatit. Durrsakët rendien të tretët, me 2 pikë më tepër se vlonjatët

Trajneri i “djemve të detit” të Teutës, Bledi Shkëmbi, një ditë para sfidës së nesërme ndaj Flamurtarit në Vlorë, është shprehur besimplotës se skuadra e tij i ka gjithë forcat për të kapërcyer ngërçin psikologjik që i ka mbërthyer durrakët. Korçari e ka vlerësuar mjaft paraqitjen dhe cilësitë e skuadrës vlonjate, por nuk e ka fshehur synimin e tij për të marrë pikë, çka do të thotë se në Vlorë do të nisë edhe kthesa e Teutës. Sipas Shkëmbit, karakteri i një skuadre duket pikërisht kur ajo reagon ndaj gjendjes së turbullt të saj.

“Është një periudhë e dobët, një periudhë e keqe, ndaj dhe duhet të ndryshojmë sa më shpejt, sepse kështu do të arrijmë objektivin e sezonit. Nuk janë vetëm rezultatet, por edhe loja që kemi zhvilluar, që ne na shqetëson aktualisht. Në futboll ndodh të gabosh, por karakteri i një skuadre duket aty, kur ajo reagon. Më parë kemi pasur ndeshje, ku kemi qenë në disavantazh, por kemi reaguar dhe kemi marrë rezultat. Për mendimin tim, ka një ngërç psikologjik dhe jemi ne ata që duhet ta zgjidhim këtë situatë. Duhet të rikthehet besimi, që të bëjmë po atë lojë që kemi bërë dhe të marrim pikë. Kam shumë besim se do ta kalojmë këtë moment, sepse kjo skuadër ishte ajo që mori rezultate pozitive radhazi. Kjo është arsyeja që ne vazhdojmë të punojmë me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën dëshirë. Nëse punon, duhet të kesh edhe pak fat, që të marrësh rezultat”.

Dorëheqja? Mendova ta marr përgjegjësitë për të mirën e skuadrës, vetëm kaq, por pas bisedave që patëm me drejtuesit e klubit dhe lojtarët, kemi bindje se do ta arrijmë objektivin, pavarësisht momentit që po kalojmë. Flamurtari është një skuadër e fortë. Kjo skuadër vazhdon të prodhojë futboll të mirë dhe vazhdon të marrë pikë, pavarësisht problematikës që ajo ka pasur dhe që e dimë të gjithë”, – ka deklaruar trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi. Për të ruajtur “statukuonë” në renditje, Teuta të paktën nuk duhet të mundet në Vlorë. Diferenca prej 2 pikësh epërsi, ia krijon këtë komoditet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!