“Amerikani” Agolli voton për Partizanin…

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ansi Agolli, para pak ditësh ia ka dhënë fund përvojës 9-vjeçare me skuadrën azere të Karabagut. Pa u vonuar, ai ka fluturuar nga Baku drejt SHBA, për t’u bashkuar me familjen e tij që jetonte prej disa kohësh në Nju Jork.
Por futbolli vazhdon të jetë profesioni i Agollit. Mbrojtësi anësor kryeqytetas i është bashkuar skuadrës së Nju Jork Kozmos, ku bëri edhe prezantimin pak ditë më parë. Në mbrëmjen e së dielës, Ansi Agolli ishte i ftuar në emisionin “Zona Gol” që drejtohet nga gazetari Alban Xhihani, me të cilin tregoi për këtë aventurë të re të, por foli edhe për Kombëtaren, Tiranën dhe futbollin në përgjithësi. Ja biseda e tyre:
– Si po e ndjek këtë duelin në distancë mes Sitit dhe Liverpulit? Si mendon se do të vijojë kjo garë?
– Është një garë e nxehtë, që do të vijojë të jetë e tillë deri në fund të sezonit. Të dy skuadrat luajnë edhe në Champions League, ndaj llogaritë nuk janë të lehta dhe besoj që gara do të jetë e ashpër dhe e fortë deri në javën e fundit. Unë personalisht dëshiroj që të triumfojë Liverpuli.
– Si ju duket mënyra
e protestës së trajnerit të Kardifit?
– Ishte tipike e stilit anglez, ajo mënyrë protestuese. Nuk e di si do
ishte në Azerbajxhan, por me siguri jo si kjo e sotmja.
– Zgjodhe ekipin, apo
vendin?
– Ishte një vendim kompleks, pas gati
9 vitesh me skuadrën e Karabagut. Ishte momenti për të marrë vendimet e duhura,
jo vetëm për faktin se familja ime jeton prej disa vitesh në Amerikë, por edhe
për të menduar për të ardhmen, pasi të mbyll karrierën si futbollist. Ardhja
këtu më ndihmon të vijoj të luaj futboll, të qëndroj me familjen time dhe
njëkohësisht bashkë me ta, të përgatis të ardhmen time pas futbollit.
– Kur patë Emre Belozoglu
38-vjeçar në fushë për Turqinë, a mendove se mund të ishe edhe ti në atë takim?
– Po, e kam menduar, por për atë
ndeshje, ata lojtarë ishin zgjedhur nga trajneri. Unë mendoj se lojtari që
luajti atë natë në krahun e majtë, bëri mjaft mirë, ndaj unë dhe të gjithë
duhet të mbështesim këdo që të luajë.
– Ku ndryshon Amerika
me Europën, në futboll?
– Ka shumë ndryshime, duke nisur që
nga mënyra se si funksionon Liga. Kjo e fundit nuk ndahet në kategori, por
bëjnë garë me njëra tjetrën. Liga kryesore është MLS-ja, ku janë edhe lojtarët
më të paguar, më pas vijnë të tjerat, ku bën pjesë edhe skuadra ime. Ambienti
është pak amerikan, në kuptimin e mirë të fjalës, pasi fillon dhe mbaron
stërvitja duke qeshur. Ndryshe nga këtu, në Europë disiplina është shumë e
rëndësishme dhe vështirë të gjesh kohën për ta marrë lehtë futbollin.
– Keni objektiva për
t’u ngjitur më lart, me klubin?
– Patjetër. Klubi edhe më parë ka
qenë në tratativa për të hyrë në ligën më të fortë, që është MLS-ja, por vitet
e fundit ka pasur ca keqkuptime. Është një plan që skuadra të ngrihet akoma më
shumë dhe t’i bashkohem MLS-së. Kjo skuadër është një nga ato me më shumë
tradita, ndaj e meriton të jetë pjesë e ligës kryesore.
– Dua një koment
tuajin, sa i takon largimit të Panuçit. Do ishte më mirë që Duka të kishte
ndërhyrë më përpara, për ta shkarkuar që pas Nations League, apo të priste edhe
këtë ndeshje?
– Çdo trajner kur merr një detyrë
mendon si të paraqitet sa më mirë dhe të arrijë rezultate me skuadrën, por
ndonjëherë duhen shumë faktorë për të bërë sukses. Duka i ka dhënë besim
trajnerit, por rezultatet nuk ishin në favor të tij dhe puna e një trajneri
matet pikërisht me rezultate. Mendoj se kjo eksperiencë do t’i japë ca mësime
të mira edhe Panuçit, gjithmonë nëse do të vijojë të punojë si trajner.
– Mendoni se ishin rezultatet vendimtare në shkarkimin e Panuçit?
– Skuadra ka pasur profesionalizëm dhe disiplinë edhe më herët, me trajnerë të tjerë. Me De Biasin nuk kemi pasur asnjë problem disiplinor, ndryshe nga periudha e Panuçit, ndaj besoj se edhe kjo ka pasur ndikimin e vet.
– Pasi të lini
karrierën si futbollist, mendoni një të ardhme brenda këtij sporti?
Pa diskutim që po, pasi dua të mbetem brenda futbollit, qoftë në linjën e
trajningut, qoftë në atë të menaxhimit. Megjithatë duhet të provoj dhe të
testoj veten në disa drejtime, para se të marr një vendim final për të parë se
çfarë do të bëj.
– E uruat Salihin për
detyrën e re?
– Nuk e urova, por e ngushëllova, pasi la futbollin. Për detyrën e re, i
uroj suksese dhe kam bindjen që ka m,arrë një vendim të menduar mirë e në kohën
e duhur.
– Çfarë efekti të
dha, të shikojë Ervin Bulkun si trajner të Kombëtares?
– Është një gjë shumë e mirë të
shohësh një njeri, më shumë se shok do ta quaja unë, në drejtim të Kombëtares
Shqiptare. Është një hap mjaft i mirë për të dhe kam bindjen që ka eksperiencën
e duhur për të bërë mirë edhe në të ardhmen, ashtu siç ia doli në ndeshjen e
parë.
– Ka ndonjë vend te Kozmosi, edhe për Hair
Zeqirin?
– Ngadalë do të shohim edhe për të.
Unë jam në ditët e para, por në të ardhmen, ndoshta mund të krijohet ndonjë
mundësi.
– Ti je me zemër
bardheblu, por titulli është i destinuar të shkojë për Partizanin këtë sezon…
– Unë jam tifoz i Tiranës, pasi kam
lindur, jam rritur dhe kam luajtur me atë skuadër, por kur flasim për anën
profesionale, duhet të lëmë në anë tifozllëkun. E vërteta është se Partizani ka
treguar stabilitet gjatë gjithë vitit dhe pavarësisht rivalitetit me Teutën e
Kukësin, e meriton plotësisht të jetë në vendin e parë dhe nëse vijon kështu,
të festojë titullin kampion.
– Si e shikoni
situatën e Tiranës, në këto javë të fundit?
– Me ardhjen e Ard Memës në stolin e Tiranës, e kam ndjekur skuadrën pak
më shumë dhe mendoj se ka bërë mjaft gjëra pozitive. Tani shoh një skuadër më
kompakte dhe me lojtarë që kanë dëshirë të luajnë futboll. Rezultatet sigurisht
nuk kanë munguar, por mendoj se kjo skuadër ka mundësi të bëjë edhe më shumë,
si në aspektin e lojës, ashtu edhe në atë të pikëve.