Shkodra, 1 miliard lekë për Vllazninë!
Shkodra asnjë herë nuk është kursyer për Vllazninë e saj. Pavarësisht se aktualisht luan në kategorinë e parë. Kuqeblutë kanë qenë dhe mbeten krenaria e çdo shkodrani, e këtij qyteti që është vendlindja e futbollit shqiptar.
Me 25 vota pro dhe vetëm 1 kundër, Asambleja e Përgjithshme e klubit Vllaznia, në mbledhjen e saj të sotme, ka miratuar projekt-buxhetin e vitit 2019, të paraqitur nga administratori i klubit Suad Lici.
Dhe jo pak, por plot 976 milionë lekë të vjetra, ku 59% e kësaj shume do të jepet nga Bashkia e Shkodrës, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave do të sigurohet nga e drejta televizive, reklamat apo shitja e lojtarëve.
Në këtë projekt-buxhet të miratuar nga asambleja, sipas administratorit të klubit Lici, është parashikuar që gjysma e kësaj shume të shpenzohen për pagat e futbollistëve dhe të stafit të tyre teknik gjatë vitit në vazhdim.