Agim Canaj, trajneri i ri i Vllaznisë
● Kryeqytetasi Canaj rikthehet sërish në Shkodër për të drejtuar kuqeblutë e Vllaznisë, të cilët presin përfundimin e kampionatit për t’u rikthyer në futbollin elitar shqiptar…
Hamendësimet apo diskutimet tashmë janë fashitur në Shkodër. Vendi i lënë bosh nga trajneri Hasan Lika, i cili për arsye familjare dha dorëheqjen për të migruar drejt Amerikës, tani është plotësuar. Gjithçka është zyrtarizuar.
Kryeqytetasi tjetër Agim Canaj do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë, jo vetëm deri në përfundim të kampionatit të Kategorisë së Parë, ku kanë mbetur edhe 6 javë ndeshje për t’u zhvilluar, por edhe me opsion për të rinovuar për sezonin e ardhshëm në Superiore.
Lajmi e bën të ditur vetë klubi shkodran i Vllaznisë nëpërmjet një njoftimi
për shtyp.
“KF Vllaznia bën të ditur se në vendin e Hasan Likës, emëron në postin e trajnerit të ekipit të parë të Vllaznisë, z.Agim Canaj. Eksperienca e tij e madhe në futbollin shqiptar, fakti që e njeh mjaft mirë Vllazninë dhe futbollin shkodran ngaqë e ka drejtuar edhe më përpara atë dhe po ashtu edhe dëshira e shprehur për t’u rikthyer sërish në krye të ekipit tonë, janë konsideruar elementë shumë të favorshëm për ta emëruar z.Canaj në këtë detyrë duke besuar se ai dhe skuadra do ta çojnë deri në fund punën e nisur nga trajneri i mëparshëm, për arritjen e objektivit që ajo ka.KF Vllaznia bën të ditur se marrëveshja me Agim Canajn do të jetë fillimisht deri në fund të këtij sezoni, por më pas, bashkëpunimi mund të vazhdojë edhe për sezonin e ardhshëm.KF Vllaznia i uron mirëseardhjen z.Canaj duke shpresuar që sëbashku të bëjmë gjëra të mira për skuadrën dhe klubin tonë”,- përfundon njoftimi i klubit Vllaznia.
Trajneri kryeqytetas Agim Canaj, rikthehet në krye të stolit shkodran për here të tretë gjatë dekadës së fundit. Ai e ka drejtuar Vllazninë në sezonin 2008-2009, si dhe në sezonin 2013-2014.