Partizani, fitore me “aromë” titulli…

● “Demat” e Partizanit mposhtin 3-0 në “Selman Stërmasi” për herë të dytë në këtë sezon “djemtë e detit” të Teutës. Titulli i munguar prej 26 vitesh, gjithnjë e më afër skuadrës së kuqe të kryeqytetit.

Java e 25-të e Superiores “foli” e gjitha për të kuqtë e Partizanit. Dje, ata morën një “asist” nga kampionët Skënderbeut që mundën kuksianët, ndërsa sot në mbrëmje në stadiumin “Selman Stërmasi”, i lanë hesapet vetë me “djemtë e detit” të Teutës.

Fituan 3-0, pastër, thellë dhe bindshëm. Madje, ashtu si në fazën e parë të këtij kampionati.

Ngjarjet u zhvilluan më lehtë dhe më thjeshtë nga sa mendohej. Mesfushori Bruno Telushi me një goditje të fuqishme në minutën e 4-t zhbllokoi rezultatin. Ardit Hila i çoi në 2-0 shifrat nga pika e bardhë e 11-metërshit të fituar nga Asani, në minutën e 32-të.

Në 45 minutat e dyta, të kuqtë e Gegës u kujdesën më tepër ta menaxhonin rezultatin, por pa hequr dorë nga mendimi për t’i ndëshkuar durrsakët, nëse ata nuk tregoheshin të kujdesshëm në mbrojtje. Dhe kështu ndodhi.

Në minutën e 90-të, ndërsa futbollistët e Teutës po kërkonin të ngushtonin humbjen, Eraldo Çinari realizon dhe fikson fitoren e merituar 3-0 për Partizanin.

Me këtë fitore, Partizani shkon në kuotën e 53 pikëve, në vendin e parë, plot 9 më shumë se Kukësi, dhe tashmë shpresat për t’u shpallur kampion rriten akoma më shumë. Teuta mbetet në vendin e tretë, me 40 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!