Superiore: Skënderbeu sillet si kampion…
Në Korçë, vendos një gol i Ditës, Kukësi në “tapet”
Skënderbeu – Kukësi 1-0 (Dita 4′)
Skënderbeu mbolli fitoren në fushën e tij, ndërsa sot, kaloi me një gol të Bruno Ditës pretendentët e Kukësit. Edhe pse verilindorët u përpoqën dhe bënë shumë për të gjetur barazimin, diçka e tillë nuk erdhi asnjëherë. Për më tepër, ky dështim e ka zbehur ndjeshëm objektivin e tyre në ndjekje të vendit të parë. Klasi i Rrocës dhe Ramës, ndër më të mirët sot për Kukësin, do duhet të ruajnë energjitë për ndeshjën e radhës…
Nga ana tjetër, të besuarit e Shehut, u shfaqën mjaft racionalë dhe pasi siguruan avantazhin, administruan dhe në fund fituan jo vetëm tri pikët, por dhe Dejvi Bregun. Vlonjati vuajti disa muaj dëmtimin e gjatë, ndërkohë që tekniku i korçarëve, pritet të ketë një “As” më shumë në radhët e “ujqërve” për pjesën e mbetur të sezonit. I pafat Leonit Abazi. Lojtari i linjës së majtë u përjashtua në fund të ndeshjes pas një ndërhyrje të ekzagjeruar ndaj Ethemit.
Pas rezultatit negativ të formacionit të Cungut, buzëqesh Partizani kryesues pse jo dhe Teuta që ndjek. Të dyja skuadrat e kreut, do të përballën nesër në “Selman Stërmasi” në kërkim të fronit…
Cungu, trajner i Kukësit – Tepër i mërzitur shkodrani Cungu në deklaratën për “Supersport”. Mori besimin pak javë më parë, teksa sot nuk ia doli të dalë së paku me një pikë nga Korça. Mes dilemave, ai shprehet:
“Nuk di çfarë të them, as vetë nuk arrij ta kuptoj. Ka momente jo të mira. Kështu u shpërqendruam edhe në Durrës, në minutat e fundit. E nisëm me luhatje minutat e para të ndeshjes dhe kundërshtari përfitoi duke na shënuar. Gradualisht u futëm në rrjedhën e lojës.
Kundërshtari nuk bëri asgjë veç golit, ndërsa ne krijuam raste të mira për gol si në pjesën e parë edhe të dytën. Kishim raste me Shametin, Rexhinaldon dhe Ethemin. Këto mbeten në kuadrin e asaj që ka ndodhur në 90 minuta. Edhe pse luajtëm më mirë se kundërshtari, nuk arritëm. Nuk mbuluam mirë dhe e pësuam. Kjo është ajo që mund të them për këtë takim”
Shehi, trajner i Skënderbeut – I lumtur Orges Sheu pas suksesit ndaj Kukësit. Pasi foli me superlativa për të tijtë, u ndal gjatë te gjesti i Abazit. Skuadra me të cilën fitoi çdo trofe si futbollist, ka nisur të reagojë dhe përgjigjen e mori të konvertuar në tri pikë.
“Punuam gjatë dy javëve. Kemi punuar që në minutat e para për të qënë shumë agresivë në sulm, duke vënë kundërshtarin në vështirësi dhe arritëm të shënonim gol shumë të shpejtë. Ishte strategji ta luanim ndeshjen kështu.
Afrimet e janarit? E kam thënë që kur kanë ardhur që kanë rritur cilësinë, edhe pse jemi në vështirësi për ndërrimet me të huaj, vazhdojmë të eksperimentojmë me ndërrime të detyruara nga java në javë.
Për kartonin e Abazit do të flasim gjatë. Nuk është hera e parë. Skuadra duhet të sillet si profesioniste në të gjithë aspektet”