Kualifikimi? Gjithçka e hapur…

● 1-2 në Elbasan. Luftëtari i shkakton humbjen e parë Partizanit në Kupë.

● Në Durrës nuk ka fitues. Teutës i mjaftojnë 5 minuta për të barazuar në 2-2

Partizani bën një hap të gabuar në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë përballë një Luftëtari, i cili më tepër sytë i mban nga kampionati.

Epërsia e 45 minutave të para, si dhe goli i Telushit (42’), i vuri në gjumë të kuqtë e kryeqytetit, pasi edhe në vijim ata e kontrollonin takimin. Por kjo përgjumje në “Elbasan Arena” vazhdoi gjatë për partizanasit.

Madje edhe pse Fili (54’) barazoi në 1-1, rastet e Hebajt (57’) dhe Çinarit (76’), krijuan përshtypjen te Partizani se goli do të dilte në dritë të vijim. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi.

Por golin e fitores 2-1 e realizuan bluzinjtë e Luftëtarit me anë të mbrojtësit durrsak Rustem Hoxha (90’), që i shokoi keqazi të kuqtë e kryeqytetit, që luan edhe rolin e mikpritësit.

Kjo ishte edhe humbja e parë e Partizanit në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion të 67-të. Gjithsesi, çështja e kualifikimit për në gjysmëfinale mbetet për t’u zgjidhur në takimin e kthimit më 27 mars në Gjirokastër, edhe pse Luftëtari ka avantazhin e kësaj fitoreje…

Në mbrëmje, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ku u zhvillua takimi tjetër i parë i çerekfinaleve, pati thuajse gjithçka. Shumë gola, shtylla, shumë emocione.

Ishte një takim i denjë për dy skuadra si Teuta dhe Kukësit, që rivalizojnë edhe në kampionat për titullin. Ishte një ndeshje dramatike, një ndeshje “e çmendur”, që vetëm këto dy skuadra dinë ta servirin.

Pas një 45-minutshi, relativisht në barabartë, ku të dyja skuadrat kërkonin të përfitonin nga gabimet e njeri-tjetrit, sulmuesi i kuksianëve Rexhinaldo (45’) realizon golin e parë për verilindorët që shkojnë superiorë në dhomat e zhveshjes.

Epërsia e kuksianëve shkon në 2-0 nga sulmuesi tjetër Shkurtaj (53’), i cili pasi manovron mirë me topin, gjuan dhe mposht për të dytën here portierin Hidi.

Kur dukej se Kukësi po shkonte drejt një fitoreje kualifikuese, sulmuesi kroat i “djemve të detit”, Bushiç (85’) ngushton rezultatin në 1-2 dhe rindez shpresat e durrsakëve për një përmbysje.

Minutat e mbetura ishin sa dramatike, aq edhe emocionuese. Mbrojtësi i shkodran i durrsakëve Hakaj (90’) barazon në 2-2, shifra këto që mbetën të pandryshuar edhe në minutat shtesë të takimit.

Edhe me këtë rezultat, skuadra e Kukësit duket më e favorizuar në takimin e kthimit, çështja e kualifikimit për në gjysmëfinale, edhe në këtë çift mbetet e hapur. Të paktën Teuta kështu shpreson…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!