Tirana “prek” gjysmëfinalen, bie miti i Laçit

● Majkëll Ngo – heroi i bardhebluve, që së bashku me Hasanin, fiksuan fitoren 3-0 të kryeqytetasve ndaj kurbinasve. Takimi i kthimit në Laç tashmë duket formalitet…

Tirana, sot në mbrëmje, në stadiumin “Selman Stërmasi” të boshatisur, me fitoren 3-0 në takimin e parë çerekfinal, e theu “mitin” e pathyeshmërisë së Laçit në Kupat e Shqipërisë.

Bardhezinjtë kurbinas, në këtë sfidë të parë u dukën shumë “të vegjël” përballë bardhebluve të Tiranës, qoftë në histori, qoftë në lojë, qoftë në dëshirën për të fituar.

Të gjitha këto, më pas u konvertuan në një fitore 3-0, që do të thotë një “biletë” kualifikimi për Tiranën në gjysmëfinalet e Kupës së 67-të të Shqipërisë, duke e paramenduar takimin e kthimit në Laç, të pavlerë dhe vetëm thjeshtë një formalitet.

Heroi i triumfit bardheblu në këtë sfidë ishte sulmuesi Majkëll Ngo. Pas 45 minutave të para pa gola, në vijim të takimit, anglezi shtatlartë Ngo (53’), një top të Imamit nga këndi, pas goditjes me kokë, e dërgon në rrjetën e portës së Selmanit, duke shënuar golin e parë të takimit.

12 minuta më pas, do të ishte sërish anglezi Ngo (65’) “vrastar” për kurbinasit. Një top të Hasanit, ai do ta përpunonte mirë para zonës së portës kurbinase dhe do të shënonte për së dyti. 2-0 për Tiranën.

Për fitoren “tris” të bardhebluve, do t’i vinte radha mesfushorit Edon Hasani, të cilit sikur i ecën për t’u shënuar laçianëve. “Shërbëtori” i tij do të ishte anglezi Ngo me një asist, që shkodrani Hasani do ta dërgonte në rrjetë, duke fiksuar shifrat në 3-0 dhe sigluar fitoren e merituar të Tiranës.

Minutat e mbetura nuk do të sillnin ndonjë episod interesant. Përpjekjet e kurbinasve për të ngushtuar rezultatin, nuk e kishin as forcën dhe as mendimin e nevojshëm për të shkuar te goli i shpresës.

Edhe diçka tjetër. Nëse skuadra kurbinase e Laçit në këtë takimi nuk arriti të shfaqej dhe të tregonte portretin e saj më të mirë, gjyqtari Laver Alla bashkë me asistentët e tij, ishin “lojtarët” më të dobët të kësaj sfide. Duket “pushimet” nga bojkoti, u kishin bërë që ta harronin rregulloren, pasi në jo pak raste dhanë vendime të gabuara… 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!