Daja me dhembje koke…

Trajneri kryeqytetas i kuqezinjve të Flamurtarit, Ilir Daja, nuk ka patur kohë ta gëzojë fitoren 2-0 ndaj rivalëve të Skënderbeut. Klima në kampin vlonjat nuk është e qetë…

Eksodi i futbollistëve titullarë vazhdon nga java në javë, nga ndeshja në ndeshje.

“Divorcin” me Flamurtarin e ka zyrtarizuar edhe qendërmbrojtësi Albi Alla, i cili ka nënshkruar një kontratë të re për ta vazhduar karrierën e tij sportive në Lindjen e largët, me skuadrën Yanbian Funde, që synon të ngjitet në kategorinë e parë të Kinës.

Bashkë me të, menaxheri Franc Bode, me shumë gjasa ka arritur të bindë për të provuar aventurën kineze, edhe mesfushorin argjentinas të vlonjatëve, Agustin Torrasa, i cili gjithashtu i ka dhënë lamtumirën vlonjatëve në rrjetet sociale.

Ndërkohë, më herët nga kampi i Flamurtarit, duke filluar nga muaji janar, për shkak të mungesave së pagave dhe likuiditeteve financiare janë larguar sulmuesi Tomislav Bushiç drejt Teutës, mbrojtësi Siljnovski, mesfushori Useini, si dhe braziliani Danilo Alvesh, që ka nënshkruar për një skuadër në kampionatin kazakistanas.

Për të “arnuar” Flamurtarin në prag të javës së 23-të, ku skuadra vlonjate do të përballet me të kuqtë e Partizanit, trajneri Ilir Daja duhet të hedhë sytë poshtë te ekipi i të rinjve.

Nuk thonë kot, se “çdo e keqe ka edhe nga një të mirë”. Të paktën eksodi i këtij fillimviti ka krijuar mundësitë që në radhët e skuadrës së Flamurtarit të promovohen futbollistët e rinj vlonjatë, paçka se përvoja ka treguar se në të ardhmen, edhe ata marrin rrugën e shtegtimit…  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!