Horiç, një boshnjak për trajnerin Gega
Ndërsa skuadra verilindore e Kukësit, nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega ka nisur përgatitjet e saj në mjediset e qytetit të Tropojës, në kryeqytet drejtori Nexhipi nënshkruan kontratën me boshnjakun Kenan Horiç.
Mbrojtësi 30-vjeçar është një lojtar me një përvojë relativisht të pasur sportive, duke qenë pjesë e futbollit ballkanas, çka sipas drejtuesve të klubit verilindor, jo vetëm do të plotësojë nevojat, por edhe mund të ambientohet shpejt me futbollin shqiptar.
“Kenan Horić është zyrtarisht futbollist i Kukësit! Mbrojtësi 30-vjeçar ka firmosur sot me skuadrën tonë kontratën për sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi boshnjak ka luajtur për shumë vite në Europë, ku së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Celik Zenicas në kampionatin boshnjak. Në të shkuarën, ai ka luajtur edhe në Slloveni me Domzalen e në Turqi me Antaliasporin.
Horić ka firmosur sot kontratën, duke u bërë kështu futbollisti më i ri i skuadrës sonë. Pa humbur kohë, Horić do të niset drejt Tropojës dhe do të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës.
Klubi i Kukësit i uron shumë suksese mbrojtësit Horiç! Mirë se vjen Kenan, Dobrodosao Kenan,”- shkruhet në njoftimin, botuar në faqen zyrtare të klubit të Kukësit.