Dita e Shqipërisë, Dortmundi vishet kuqezi
Luhet sot dita e dytë e EURO 2024 që përkon dhe me startin e aventurës së dytë historike për kuqezinjtë tanë. Një sfidë nga Grupi A dhe dy të tjera nga Grupi B, ku bën pjesë dhe Shqipëria janë në program për ditën e sotme.
Hungari – Zvicër prej orës 15:00 e vlefshme për Grupin A që udhëhiqet momentalisht nga Gjermania pas fitores së djeshme 5-1 përballë Skocisë. Në fushë pritet të zbresin dhe Shaqiri e Xhaka.
Sakaq, me interes pritet përballja e orës 18:00 mes Spanjës dhe Kroacisë, dy kundërshtarët e tjerë të Shqipërisë në këtë Europian.
Dhe gjithçka kulmon në mbrëmje me “shqiponjat” e Silvinjos që zbresin në fushë përballë kampionëve në fuqi të Europës, Italisë. Më shumë se thjesht një ndeshje me Dortmundin e veshur tashmë kuqezi dhe 50 000 tifozë shqiptarë që pritet të pushtojnë tribunat e “Signal Iduna Park”.
Me start në 21:00 kjo do të jetë prova e parë e kombëtares kuqezi në pjesëmarrjen e dytë historike në një Europian. Sa i përket rreshtimit, pritet që në portë të jetë Berisha, më tej Mitaj, Ajeti, Gjimshiti, Hysaj, Bajrami, Ramadani, Asllani, Asani, Seferi dhe Broja. Megjithatë, këto dhe dilema të tjera do të zbulohen në mbrëmje.
EURO 2024, faza e grupeve
Grupi A:
Hungari – Zvicër 15:00
Grupi B:
Spanjë – Kroaci 18:00
Itali – Shqipëri 21:00