Gjermania e hap europianin me “breshëri”
Nga pushime në Shqipëri te goli, Emre Çan vulos fitoren e thellë të Pancerave
Euro 2024, Grupi A:
Gjermani – Skoci 5-1
Ngre siparin EURO 2024. Ceremonia hapëse, nderimi i Bekenbauer, entuziasmi i tifozëve në “Allianz Arena” dhe gjashtë gola të shënuar ishin emocionet e para që ky event dhuroi.
Gjermani – Skoci i ka dhënë fund pritjes për ngjarjen futbollistike më të rëndësishme të kontinentit europian. Të zotët e shtëpisë nisën EURO 2024 me spektakël golash përballë Skocisë duke dominuar totalisht përballjen e parë të Grupit A.
Gjermanët u hodhën vrullshëm në sulm për të finalizuar 3 herë gjatë pjesës së parë. Virtz, Musiala dhe Havertz me penallti ia dolën të linin gjurmët e tyre në ndeshjen hapëse të këtij Europiani teksa skocezët e mbyllën fraksionin e parë me një karton të kuq dhe një lojtar më pak.
Fylkrug dhe Xhan ishin ata që realizuan dhe dy herë të tjera për gjermanët gjatë pjesës së dytë ndërkohë që në radhët e vendasve shënoi dhe Rydiger por në portën e gabuar duke regjistruar golin e nderit për skocezët.
Gjithçka e dominuar nga organizatorët e EURO 2024 që e nisin me fitore betejën në Grupin A, aty ku përveç tyre dhe Skocisë janë dhe Zvicra e Hungaria që do të përballen nesër në 15:00.
Sakaq, po nesër merr udhë edhe gara në Grupin B, atë të Shqipërisë. Spanjë – Kroaci (18:00) dhe Itali – Shqipëri (21:00) janë duelet e programuara për ditën e dytë të EURO 2024./Sara Gjidiaj/